Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Barcelona dëshiron të mbajë Messin, por La Liga mund të mos ia lejojë këtë

Barcelonë, 13 korrik (NYT) – Kur Lionel Messi doli nga fusha të shtunën e shkuar pas finales së Copa America, kapiteni i Argjentinës - një nga sportistët më të njohur në histori – ishte më në fund kampion me fanellën e vendit të tij. Ai u bë kampion kontinental vetëm disa javë pas ditëlindjes së 34-t dhe në kohën kur ishte i papunë.

Talenti i Messit nuk është vënë kurrë në dyshim. Një lojtar që është shpallur gjashtë herë më i miri në botë, Messi është ndër futbollistët më të mirë të gjeneratës së tij ose të çdo brezi. Megjithatë, e ardhmja e tij profesionale dhe aftësia për t'iu përshtatur gjendjes financiare të Barcelonës në sezonin e ardhshëm, papritmas është në dyshim të madh. Messi dëshiron të qëndrojë te Barcelona, shtëpia e vetme profesionale që e ka njohur ndonjëherë, dhe Barça dëshiron ta mbajë atë. Por, problemet e tmerrshme financiare të klubit dhe një seri vendimesh fatale nga menaxhmenti i klubit, kanë dëmtuar atë që është ndoshta shoqëria më e suksesshme midis një klubi dhe një lojtari të vetëm në futboll.

E gjithë kjo si pasojë e rregullave strikte që po vendosen nga La Liga. Messi nuk tha asgjë për situatën e tij të kontratës gjatë muajit të fundit, ndërsa udhëhoqi Argjentinën drejt fitores në Copa America në Brazil. Atij i ka skaduar kontrata me klubin në fund të muajit të shkuar. Dhe presidenti i ri i Barcelonës, Joan Laporta, është përpjekur të ofroj siguri për të ardhmen e Messit.

“Gjithçka është në rregull”, u tha ai mediumeve javën e shkuar derisa drejtuesit e tjerë të Barcelonës ishin mbledhur në kërkim të një zgjidhjeje.

Por problemi është se e ardhmja e Messit mund të mos jetë më në duart e lojtarit apo të klubit të tij. Rregullat e ligës spanjolle kufizojnë shpenzimet e secilit klub në vetëm një përqindje të ardhurave të klubit dhe zyrtarët e La Ligas kanë thënë në mënyrë të përsëritur se ata nuk do të dobësojnë rregullat e tyre për të akomoduar Barcelonën, e cila është shumë larg prej këtij limiti. Me pak fjalë, nëse Barcelona nuk mund të shkurtojë 200 milionë euro nga fatura e saj e pagave këtë verë, nuk do të lejohet të regjistrojë asnjë lojtar të ri, përfshirë Messin, për sezonin e ardhshëm. Një prishje mes Messit dhe Barcelonës do të ishte sizmike për të dy palët. Messi ka qenë pika qendrore e Barcelonës për gati dy dekada, arkitekti i suksesit të saj në fushë dhe motori i fuqisë financiare.

Edhe Si u rrezikua dekada e dominimit të Messit? Futboll Si u rrezikua dekada e dominimit të Messit?

Ndërsa Barcelona ka mbledhur para me shpejtësi marramendëse në vitet e fundit - në vitin 2019 u bë klubi i parë që tejkaloi një miliardë euro dollarë në të ardhura vjetore – klubi gjithashtu mori vendime të nxituara dhe të papërfillshme nëpër kontratat e futbollistëve, duke fryrë koston e pagesave. Vetëm marrëveshja e fundit katërvjeçare e Messit, nëse ai plotësonte çdo klauzolë dhe kusht, vlente gati 675 milionë euro, një shumë aq e madhe sa që kishte një ndikim në pagat e të gjithë shokëve të tij të skuadrës.

Duke u përballur me borxhe prej më shumë se 1 miliard euro dhe humbje prej qindra miliona euro, Barcelona po lufton për të ekuilibruar librat e saj në një mënyrë që t'u përmbahet rregullave të ligës.

Pjesërisht është për shkak të Messit. Humbjet e saj në dy vjetët e fundit kanë kaluar më shumë se 500 milionë euro, shumica e tyre për shkak të kontratave të pasura si ajo që ish-administrata e Barcelonës i dha Messit në vjeshtën e vitit 2017.

Detajet e marrëveshjes me 30 faqe, e cila u zbulua në një gazetë spanjolle, janë një dëshmi e shijes së Barcelonës për të jetuar në skaj: një pagë prej rreth 1.4 milionë euro në javë; një bonus nënshkrimi prej 139 milionë eurosh; një bonus “besnikërie” për një lojtar që e ka punësuar qëkur ishte 13 vjeç, prej 93 milionë eurosh.

Një kontratë e re, ende e përfunduar, pothuajse me siguri do të përmbajë që Messi, një nga sportistët më të vlefshëm në botë, të pranojë një ulje të konsiderueshme të pagës.

Victor Font, një nga kandidatët humbës në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, tha se ishte i befasuar që klubi ende nuk kishte bërë rregullimet financiare të nevojshme për të mbajtur Messin. Por si Laporta, ai tha se ishte i bindur se Messi do të qëndronte me klubin.

“Zgjidhja alternative do të ishte një zhgënjim aq i madh sa nuk mund të mendoj se ka një alternativë”, tha Font.

Klubi nuk po merr asnjë simpati apo trajtim preferencial nga liga spanjolle. Javier Tebas, shefi ekzekutiv i kampionatit, u tha gazetarëve këtë javë se Barcelona vetë e ka fajin për krizën e saj financiare. Po ashtu, ai u tha gazetarëve se pandemia e koronavirusit kishte dëmtuar financat e ekipit, por edhe ekipeve të tjera. Megjithatë, krahas Barcelonës e Real Madridit, klubet e tjera kanë gjetur mënyra për të vepruar brenda rregullave të ligës.

Edhe Barcelona mund të fitonte 200 milionë euro me rikthimin e Messit Futboll Barcelona mund të fitonte 200 milionë euro me rikthimin e Messit

Çështja, tha Tebas, ishte se Barcelona nuk ka hapësirë ​​për të manovruar. Liga llogarit kufij të ndryshëm për secilin klub bazuar në deklaratat e të ardhurave të secilit klub, por shpenzimet duhet të jenë të kufizuara në 70 për qind të ardhurave.

“Nuk është normale që klubet të shpenzojnë deri në euron e fundit të kufirit të pagës”, tha Tebas.

Barcelona tashmë ka njoftuar për transferimin e Sergio Agueros për sezonin e ardhshëm si dhe atë të sulmuesit të Holandës, Memphis Depay dhe mbrojtësit të Spanjës, Eric Garcia.

Të tre iu bashkuan klubit si lojtarë të lirë, që do të thotë se Barcelona nuk duhet të paguante tarifa transferimi për ish-klubet e tyre, por kampionati nuk do të regjistrojë asnjërin prej tyre, ose Messin, derisa klubi së pari të bëjë shkurtime të thella të kostove.

Klubi ka punuar për të larguar lojtarë, duke prishur kontratat me talentet dhe duke negociuar daljet e disa prej yjeve të tjera të ekipit.

Krahas kësaj, Barcelona mund të jetë e detyruar të shesë lojtarët kryesorë - portierin Marc Andre ter Stegen, mesfushorin Frenkie de Jong e madje edhe Pedrin, në mënyrë që të arrijë limitin që kërkohet nga La Liga.

Font tha se ai priste që Barcelona do t'i jepte përparësi ri-nënshkrimit të Messit, edhe nëse kjo do të thoshte se disa nga nënshkrimet më të reja të ekipit, ose lojtarët e tjerë kryesorë aktualisht nën kontratë, do të duhet të shkojnë.

“Është çështje shkëmbimesh”, tha Font. “Klubi nuk mund të regjistrojë lojtarë të tjerë, por nuk do t'u jepni përparësi të tjerëve para Messit”.

Edhe A mund ta sjellë Messi shpirtin e “Katarit 2022” dhe ta shtyjë Inter Miamin drejt suksesit? Futboll A mund ta sjellë Messi shpirtin e “Katarit 2022” dhe ta shtyjë Inter Miamin drejt suksesit?

Nëse Barcelona nuk do të jetë në gjendje të bëjë shkurtimet e nevojshme, atëherë do ta gjejë veten në një tjetër detyrë. Sipas rregullave të ligës spanjolle, një ekip mund të shpenzojë vetëm një të katërtën e parave që merr nga shitjet e lojtarëve për kontrata të reja. Kjo do të thotë se edhe nëse klubi mund të pastrojë dhjetëra miliona euro nga librat, do të ketë në dispozicion vetëm një pjesë të totalit për të nënshkruar me Messin ose dikë tjetër.

“Sigurisht që ne duam që Messi të qëndrojë”, tha Tebas, shefi ekzekutiv i La Ligas. “Por kur jeni duke drejtuar një kampionat nuk mund t'i bazoni vendimet në lojtarë ose klube individuale”.