Barcelona do të ketë rast për ta kthyer deficitin prej tri golave në favor të saj në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germainit dhe të avancojë tutje në këtë garë, për sa kohë shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i klubit spanjoll, Lionel Messi, është në formë të mirë.
Kështu ka insistuar trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, në konferencën për shtyp të mbajtur të martën. Barcelona u mposht në ndeshjen e parë në “Camp Nou” nga PSG-ja me rezultatin 4:1 dhe deri më tani asnjë ekip në Ligën e Kampionëve nuk ka arritur të sigurojë kualifikimin tutje në udhëtim pas një deficiti prej tri golave nga ndeshja si vendas.
Mirëpo, Koeman beson se ekipi i tij është në gjendje të shkruajë historinë edhe pse ka pranuar se nuk do të jetë lehtë. Ndeshja e kthimit ndërmjet PSG-s dhe Barcelonës zhvillohet të mërkurën mbrëma në stadiumin “Parc des Princes” prej orës 21:00.
“Gjithmonë ekziston mundësia. Pra, asgjë nuk është e pamundur”, ka insistuar Koeman. “Nëse Leo është në gjendje të bëjë paraqitjen e tij më të mirë, atëherë rikthimi i rezultatit është i mundur. Ai mund ta vendosë ndeshjen në çdo moment. Por jo vetëm ai duhet të jetë në formën më të mirë, të gjithë lojtarët duhet të kenë paraqitje të jashtëzakonshme. Gjithashtu duhet të kemi edhe pak fat, të sigurohemi të shfrytëzojmë rastet tona dhe të jemi sa më efektivë para portës”.
Në fakt Barcelona pati bërë njërin prej rikthimeve më të mëdha në historinë e Ligës së Kampionëve, dhe atë pikërisht kundër PSG-s, në vitin 2017, në të njëjtin raund të garave. Pas disfatës në ndeshjen e parë në Paris me rezultatin 4:0, Barcelona pati triumfuar në shtëpi 6:1 për të avancuar në çerekfinale. Koeman ka pranuar se këtë herë misioni i Barcelonës është shumë më i vështirë sesa para katër vjetësh për faktin se rikthimin e madh po e kërkon në udhëtim dhe jo në stadiumin “Camp Nou”. Barcelona është trimëruar në prag të ndeshjes me PSG-në pasi javën e shkuar e bëri një rikthim në rezultat kur e mposhti Sevillan 3:0 pas vazhdimeve në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales të Kupës së Spanjës. Me këtë triumf, Barcelona u kualifikua në finale të kësaj gare edhe pse duelin e parë e humbi me shifrat 2:0.
Edhe
Përballje gjigantësh në Barcelonë
“Nuk mendoj se PSG-ja do të frikësohet prej nesh. Jam i bindur që trajneri i ekipit francez e ka përgatitur lojën në mënyrën më të mirë të mundshme dhe është siguruar që futbollistët e tij mos ta cilësojnë këtë si një ndeshje të lehtë. Po ashtu edhe rrethanat janë krejtësisht ndryshe këtë herë për dallim prej vitit 2017 pasi shumë më lehtë është që ndeshjen e kthimit ta luash në shtëpi”, është shprehur Koeman. “Ne besojmë në vete dhe gjithmonë synojmë ta fitojmë çdo ndeshje, kështu që edhe ndaj PSG-s do të futemi me mentalitetin e fortë dhe synimin për ta përmbysur rezultatin”.
Barcelona në këtë ndeshje do të ketë mungesa në repartin e mbrojtjes pasi qendërmbrojtësit Gerard Pique dhe Ronald Araujo nuk do të paraqiten për shkak të lëndimeve. Mirëpo edhe tek ekipi francez do të ketë mungesa por në repartin ofensiv. Ish-sulmuesi i Barcelonës, braziliani Neymar, nuk ka arritur të rikuperohet me kohë dhe do t’i mungojë Parisit edhe në ndeshjen e kthimit derisa Moise Kean është infektuar me koronavirus.
Trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino, ka shprehur zhgënjimin e tij të madh që Neymari nuk ka arritur të jetë i gatshëm për ndeshjen e kthimit që e cilëson si shumë të rëndësishme. Ndërsa ka shtuar se ekipi i tij tashmë e ka harruar fitoren e thellë në ndeshjen e parë, në të cilën sulmuesi Kylian Mbappe realizoi “hat-trick”. Kthimi i Angel di Marias dhe Alessandro Florenzit që munguan në ndeshjen e parë, paksa e ngushëllon Pochettinon.
“Gjithë stafi mjekësor ka bërë të pamundurën që Neymari të kthehet me kohë për këtë ndeshje, por nuk arritëm dhe për këtë ndihem shumë i mërzitur. Ai po kalon nëpër një moment të vështirë, por besoj që së shpejti do të jetë në fushë për të na ndihmuar në të gjitha garat”, është shprehur Pochettino. “Nuk më intereson se çfarë ka ndodhur para katër vjetësh dhe nuk dua të mendoj për atë situatë. Thjesht, do të mundohemi ta fitojmë edhe ndeshjen e dytë pasi me këtë qasje do të startojmë prej minutës së parë. Pra, janë edhe 90 minuta lojë dhe ne nuk e kemi në mendje fitoren e ndeshjes së parë pasi do të futemi në fushë me idenë që ai duel është mbyllur pa gola”.
Ndërkohë të mërkurën prej orës 21:00 do të zhvillohet edhe ndeshja tjetër, ajo ndërmjet Liverpoolit dhe Leipzigut, në stadiumin “Anfield Road”. Liverpooli e ka fituar përballjen e parë në Gjermani me rezultatin 2:0 dhe do të përpiqet të kualifikohet në çerekfinale të Championsit, që do të shërbejë si ngushëllim për rezultatet e dobëta që i ka regjistruar kohët e fundit në Premier League.
E mërkurë (21:00)
PSG – Barcelona (4:1)
Edhe
Te Parisi të bindur se do ta kalojnë Barcelonën
Liverpool – Leipzig (2:0)
*Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para