Sport

Barazimi ndaj Andorrës, goditje e madhe në shpresat për kualifikim

Synimi i Kosovës është i qartë – kualifikimi në “Euro 2024”. Por, të martën mbrëma, Kosova mori një goditje të madhe në shpresat për kualifikim në Evropianin që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani. Kosova i ka zhvilluar vetëm dy ndeshjet e para të ciklit të ri kualifikues për “Euro 2024”. Në dy ndeshjet, atë kundër Izraelit në Tel-Aviv dhe Andorrës të martën në Prishtinë, Kosova barazoi me rezultatin e njëjtë - 1:1. Kosova është në grupin I. Pjesë e këtij grupi janë edhe Zvicra, Rumania e Bjellorusia. Me këto përfaqësuese do të përballet në muajt në vijim. Zvicra dhe Rumania janë dy përfaqësueset e grupit që kanë nga gjashtë pikë. Dy pikë i ka Kosova, kurse Rumania dhe Izraeli kanë nga një pikë. Pa pikë, në vendin e fundit është Bjellorusia. Njohës të futbollit në Kosovë kanë qenë tejet kritikë me paraqitjen e Kosovës në ndeshjen ndaj Andorrës. Ish-futbollisti Taulant Dajaku insiston se lojtarët kanë humbur besimin te selektori i Kosovës, Alain Giresse.

“Vazhdon e njëjta sagë, i njëjti paplanifikim duke filluar nga lista, ku ftohen disa lojtarë që nuk kanë minutazhë në ekipet e tyre dhe Giresse pretendon se mund t’i bëjë protagonistë pa qenë në formë dhe duke lënë jashtë lojtarët që janë në momentet e tyre maksimale të karrierës. Shihet nga deklaratat pas ndeshjeve të lojtarëve që nuk kanë besim tek Alain Giresse, por janë të pakënaqur me mënyrën si trajtohen në Përfaqësuese nga njerëz që nuk kanë nivel profesion në atë që pritet nga një përfaqësuese. Këtë e thonë shumë lojtarë në takimet miqësore qe kemi jashtë ambienteve të stadiumit”, ka thënë Dajaku në reagimin e tij të gjatë dhënë për KOHËN.

Dajaku, që së fundi ka qenë drejtor sporti në klubin e futbollit Drenica, ngul këmbë se ëndrra është e shuar tashmë.

“Rezultati ndaj Andorrës është kulmi që nuk kapërdihet, ku përveç rezultatit ishim dëshmitarë të ndeshjes më të shëmtuar në të gjitha aspektet e aq më keq ngjarjet që ndodhën gjatë kësaj jave ekspozuan sistemin e vasalëve të instaluar në FFK që fyejnë edhe inteligjencën e adhuruesve të futbollit me mënyrën e ulët të justifikimit të gjërave. Mendoj se ëndrra jonë jo vetëm që është shuar për këtë cikël, por me këtë grup njerëzish dhe pa një reagim të fortë për të dhënë shembull se korrupsioni, okupimi i Federatës nuk duhet toleruar, ne do të humbim shumë kualifikime dhe shumë mundësi për ta dërguar futbollin ku e ka vendin”, ka theksuar Dajaku.

Ai thotë se një pjesë të madhe të fajit për rezultatet e dobëta të Përfaqësueses i kanë edhe drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Mjafton të shihet nga deklaratat e Federatës që e akuzojnë Policinë e Kosovës për terror, thua se është policia e armikut. Mjafton për të kuptuar çmendurinë e njerëzve që duan ta mbrojnë korrupsionin, pasi janë pjesë e këtij korrupsioni eklatant që po e shkatërron futbollin në çdo aspekt. Është koha kur duhet të reagojnë fort për të shpëtuar prej këtij krimi të instaluar në FFK”, është shprehur Dajaku.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS. Ka refuzuar të përgjigjet edhe drejtori i përfaqësueses, Muharrem Sahiti, ndërsa nuk kanë kthyer përgjigje as selektori Alain Giresse e as disa futbollistë. Por trajneri Gani Sejdiu fajin për paraqitjen e zbehtë të Kosovës ndaj Andorrës ua lë të gjithëve në Përfaqësuese.

“Barazimi ndaj Izraelit mund të llogaritet i mirë, por barazimi ndaj Andorrës vërtet është një dështim. Na prish punë për vazhdim dhe në arritjen e objektivave, ku pati entuziazëm të madh nga Federata, selektori dhe nga të gjithë ne. Konsideronim se ka arritur pjekurinë e duhur për këto gara, por edhe duke parë formën e lojtarëve tanë në klubet përkatëse, na bëri shumë optimistë. Por nuk doli ashtu dhe vërtet jemi në një situatë jo të mirë. Normal që gjërat mund të ndryshojnë, por duhet të analizojmë mirë dhe me realitet situatën në përgjithësi”, ka thënë Sejdiu.

Ai thotë se Kosova nuk ka ende identitetin e lojës. Lojtarët, sipas tij, një ndeshje luajnë mirë, ndeshjen tjetër dështojnë.

“Duhet të sigurohemi fillimisht se mos jemi duke e mbivlerësuar veten dhe nuk jemi realë në ambiciet tona, sepse pastaj do ta kishim të gjithë më lehtë për të përballuar dështimet. Një është e sigurt, se koha nuk po mund të gjejë ekuilibrin, sepse shumë lojtarë në një takim prezantohen mirë, ndërsa në tjetrin dështojnë, pastaj bëhen ndryshime të cilat veprojnë njëjtë. Dhe, kështu nuk po arrihet stabiliteti i cili është thelbësor në këso garash”, ka thënë Sejdiu.

Kritik është edhe trajneri Erdin Hashani. Hashani për dështimin e Kosovës ndaj Andorrës e ka drejtuar gishtin nga selektori Alain Giresse.

“Me këtë trajner është problem të kualifikohemi, sepse kur një trajner i ri vjen e bën një ndryshim, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë ndryshim. Në këto dy ndeshje ka dalë në pah pika jonë më e dobët, e që është mesfusha. Kur nuk funksionon mesfusha, atëherë është e vështirë të kemi rezultate”, ka thënë Hashani.

Ai thotë se Zvicra është favorite. Sipas Hashanit, Kosovës i duhen rezultate të mëdha për ta siguruar pjesëmarrjen në Evropian.

“Zvicra është favorite, por ne duhet ta fitojmë ndeshjen me Izraelin dhe me Rumaninë, të fitojmë katër pikë, po ashtu edhe ndaj Bjellorusisë të fitojmë gjashtë pikë dhe të fitojmë kundër Andorrës në udhëtim. Por nëse kështu vazhdojmë, gjasat janë të vogla”, ka theksuar Hashani.