Sport

Barazimi i dytë rresht për Chelsean

Chelsea ka shënuar barazimin e dytë rresht në elitën e futbollit anglez.

Të premten në mbrëmje, Chelsea barazoi me Fulhamin pa gola në “Stamford Bridge”.

Ishte ndeshje që i takoi xhiros së 22-të të Premier Leagues angleze.

Me pikën e marrë të premten, Chelsea tani ka 30 pikë në 21 ndeshje të luajtura dhe pozicionohet në mesin e tabelës.

Fulhami nga ana tjetër në 22 ndeshje të luajtura ka 32 pikë.

Te skuadra e Chelseat në këtë ballafaqim debutoi transferimi i janarit, Enzo Fernandez.

22-vjeçari, fitues i Kupës së Botës me Argjentinën, e kompletoi ndeshjen.

Ai u transferua nga Benfica portugeze për 121 milionë euro.

Ndërkohë, ukrainasi Mykhailo Mudryk, luajti në pjesën e parë, por u zëvendësua në fillim të pjesës së dytë.

Faqja “Squawka” në Twitter që merret me statistika të lojtarëve, ka shkruar se në 45 minutat e tij të parë si titullar, ai nuk pati asnjë gjuajtje në portë, asnjë faull të fituar dhe asnjë shans të krijuar për gol.