Një vendim i minutës së fundit për të zbutur masat ndaj COVID-19 për finalen e së shtunës mbrëma të Ligës së Kampionëve në Porto, ka zemëruar pamasë banorët e qytetit portugez.
Organi drejtues i futbollit evropian, UEFA, lëvizi finalen midis dy klubeve angleze, Manchester City dhe Chelsea, nga Stambolli në Porto, për të lejuar tifozët anglezë të udhëtojnë për këtë ndeshje pas kufizimeve për shkak të pandemisë.
Disa banorë të Portos kanë frikë nga një rritje e infeksioneve për shkak të variantit të ri dhe shumë ngjitës të koronavirusit që po përhapet në disa pjesë të Anglisë, pasi u identifikua për herë të parë në Indi. Të tjerët janë të mërzitur që tifozët e huaj mund të hyjnë në stadium, por vendasit janë ndaluar të marrin pjesë në ndeshje për muaj të tërë.
“Nëse ata hapin stadiumet për anglezët, atëherë duhet t'i hapin për të gjithë”, tha Alexandre Magalhaes, duke ecur nëpër rrugët e qytetit të Portos, i cili është i mbushur me tifozë.
Qeveria e Portugalisë fillimisht tha që tifozët anglezë duhet të fluturojnë vetëm ditën e ndeshjes, të qëndrojnë në izolim dhe të kthehen menjëherë pas përfundimit të finales së Championsit. Mirëpo të enjten autoritetet hoqën masën dhe kërkesën për tifozët që të qëndrojnë në izolim dhe gjithashtu larguan kufizimin e lëvizjes.
“Nëse këto rregulla të reja janë të vërteta, unë nuk do të respektoj më bllokimet apo kufizimet e tjera”, shkroi një përdorues i rrjetit social Twitter. Ndërsa një tjetër shkroi: “Ky është një turp për këdo që vazhdon të respektojë rregullat shëndetësore në Portugali”.
Edhe
Përleshje në mes të tifozëve të Cityt dhe Chelseat
Portugalia vendosi një bllokim në muajin janar pas një rritjeje të rasteve me koronavirus, por rregullat që nga ajo kohë janë lehtësuar. Rreth 16. 500 tifozë do të lejohen të hyjnë në stadium. Shumë të tjerë kanë ardhur për të mbështetur ekipet e tyre duke brohoritur jashtë stadiumit. Grupet e tifozëve pa maska ishin prezentë të premten, duke pirë birrë dhe duke brohoritur. Autoritetet thanë se nuk mund të ndalonin lëvizjen e tifozëve, sepse turistët britanikë tani lejohen brenda dhe jashtë Portugalisë nëse paraqesin një test negativ PCR.
Kryebashkiaku i Portos, Rui Moreira, tha se qyteti ishte gati për finale, megjithëse kishte vetëm dy javë për t'u përgatitur.
“Populli portugez përshtatet. Ne jemi mjaft efikas në improvizimin”, tha Moreira.