Sulmuesi i Leeds Unitedit, Patrick Bamford, është thirrur nga Përfaqësuesja e Anglisë për herën e parë në listën që u bë publike të enjten. Në muajin tjetër, Anglia do t’i zhvillojë tri ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës.
Anglia e cila luan për herën e paë qëkur humbi në finale të Kampionatit Evropian në korrik, luan kundër Hungarisë, Andorrës dhe Polonisë.
Bamford është lojtari i vetëm që asnjëherë nuk ka luajtur për Anglinë e që është i përfshirë në listën e përzgjedhësit Gareth Southgate. Ai shkëlqeu qëkur Leedsi u rikthye në Premier League sezonin e kaluar.
“Freskimi është cikël”, tha Southgate. “Ne asnjëherë nuk do të bëjmë ndryshime të mëdha”, përfundoi ai.
Grupit u janë rikthyer edhe Trent Alexander-Arnold, Jesse Lingard e Nick Pope. Mungojnë Marcus Rashford dhe Phil Foden, për shkak të lëndimeve.
Anglia e hapi ciklin kualifikues për Kupën e Botës të vitit tjetër me tri fitore në muajin mars.