Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Balotelli preferon transferimin te Napoli

Sulmuesi i Brescias, Mario Balotelli ka thënë se do të pëlqente që në të ardhmen të luante për Napolin. Ai po ashtu ka treguar se dikur ylli Zlatan Ibrahimoviq i kishte thënë se nuk është mjaftueshëm i mirë.

“Do të isha shumë i lumtur te Napoli, po flas seriozisht. Do të bëja vajzën time lidere të ultrasëve, pasi ajo është adhuruese e Napolit. Unë i këndoj ‘Brescia, Brescia’, por ajo prapë përkrah Napolin. Ajo ishte shumë e lumtur kur e dërgova në San Paolo, ishte e hipnotizuar. Ishte ndjenjë e mirë të luaja atje, por vet më duket ‘San Siro’ si stadiumi më i bukur”, ka thënë Balotelli në një intervistë që e ka bërë në “Instagram Q&A” me Fabio Cannavaron.

Balotelli 29-vjeçar te Interi kishte qenë bashkëlojtar me Ibrahimoviqin dhe ka treguar se në fillim Ibra nuk e kishte vlerësuar shumë.

“Kur isha fëmijë, unë e shikoja atë dhe ai më tha se kurrë nuk do të stërvitem me skuadrën e parë. Më tha se nuk jam mjaftueshëm i mirë për të luajtur me skuadrën e parë. Por, më pas ai shkoi te agjenti Mino Raiola dhe i tha të më merrte mua, pasi isha më i mirë se ai”, ka treguar Balotelli.

Së fundi është raportuar se Galatasaray i ka ofruar kontratë dyvjeçare sulmuesit me shtetësi italiane.

Balotelli po ashtu ka folur edhe për marrëdhënien e tij me seleksionuesin e Italisë, Roberto Mancini.

“Unë kam marrëdhënie të veçantë me të. Unë jam i lumtur që ai ende nuk po mendon të më ftoj, pasi nëse më fton ai nuk do të më lë në bankinë. Është vetëm e drejtë të thërrasë lojtarët e meritojnë ftesën. Në ditën që e meritoj do të jem në përfaqësuese duke luajtur”, ka thënë Balotelli.

Artikuj të ngjashëm