Felipe Melo dhe Mario Balotelli i janë përgjigjur ashpër mbrojtësit italian Giorgio Chiellini.
Të shtunën janë zbuluar pjesë nga autobiografia e Chiellinit, ku ai ka adresuar vlerësime negative për Melon dhe Balotellin.
“Balotelli është njeri negativ, pa respekt për ekipin”, ka shkruar Chiellini për ish-bashkëlojtarin e tij te Italia.
“Felipe Melo është edhe më i keq: më i keqi prej të këqijve”, ka vazhduar Chiellini.
Melo ka folur për Gazzetta dello Sport për komentet e Chiellinit. Ai ka thënë se Chiellini gjithnjë ka qenë frikacak, duke thënë se gjërat është dashur t’ia thotë në fytyrë e jo në autobiografi.
“Së pari do të ishte interesante të dihet se cilit episod i referohet ai. Kur isha në Torino nuk kam shfaqur mungesë respekti asnjëherë. Kam respektuar bashkëlojtarët, menaxherët, Juventusin në tërësi. Megjithatë në këtë pikë unë nuk kam respekt për të dhe nuk do të kam asnjëherë”, ka thënë Melo.
Edhe
Messi me mesazh për kritikët e Argjentinës
“Ndoshta ky mbrojtës është ende i inatosur pasi kur shkova në Galatasaray ne e kemi eliminuar Juventusin nga Liga e Kampionëve. Ndoshta është për faktin që Interi ka fituar çdo gjë dhe unë jam ‘Interist’. Më shkon edhe një gjë tjetër në mendje. Ne kemi mposhtur Italinë 3:0 në Kupën e Konfederatave të vitit 2009 dhe ne e kemi fituar atë. Ndoshta për këtë ai e torturon veten. Për më tepër në nivelin ndërkombëtar ai nuk ka fituar asgjë. Të thuhen gjëra të tilla është jo profesionale. Është mungesë respekti. Do të ndalem këtu dhe nuk do të them asgjë më shumë. Gjëra të caktuara duhet të mbesin në dhomat e zhveshjes”, ka thënë braziliani Melo.
Ka reaguar edhe Balotelli.
“Së paku unë kam sinqeritetin dhe kurajën të them gjërat në sy. Ti ke pasur shumë mundësi prej vitit 2013 të sillesh si burrë i vërtetë, por nuk e ke bërë. Kushedi çka do të thuash një ditë për bashkëlojtarët aktual. Kapiten i çuditshëm. Nëse kjo preferohet për të qenë kampion, unë preferoj të mos jem. Asnjëherë nuk më ka munguar respekti për fanellën e kaltër”, ka shkruar Balotelli.