Pos klubeve të futbollit, shuma të majme kanë përfituar edhe ato të basketbollit. KB Trepça nga marrëveshjet e sponsorimit vjet përfitoi 379 mijë euro. Peja ka përfituar 332 mijë euro, ndërsa Golden Eagle Ylli 253 mijë euro. Disa prej klubeve që kanë përfituar shumë kanë edhe rezultate sportive. E disa nuk kanë rezultate sportive dhe ankohen vazhdimisht për kriza financiare. Dhe kjo sjell dyshime nëse paratë shkojnë gjithnjë në adresën e duhur
Ballkani është lider i Superligës së Kosovës në futboll dhe fare pranë titullit të kampionit. Klubi nga Suhareka ka formuar skuadër cilësore dhe tani po shijon rezultatet sportive.
Pas suksesit të Ballkanit qëndron një investim goxha i madh financiar. Ka vjet që te Ballkani investohen shuma të mëdha, në lojtarë e trajnerë ndër të tjera. Dhe të paktën për vitin e kaluar, burim i rëndësishëm ishin marrëveshjet e sponsorimit. Duke shfrytëzuar mundësitë e mëdha të Ligjit për sponsorizim në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, Ballkani vjet ka përfituar mbi 899 mijë euro.
Të dhënat zyrtare për marrëveshjet e sponsorimit në fushën e sportit i ka paraqitur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për KOHËN.
Ballkani vlerësohet klub lider edhe sa i takon realizimit të të hyrave nga marrëveshjet e sponsorimit. Në fakt klubi nga Suhareka nuk ka shumë marrëveshje, por shifrat e tyre janë të larta. Nga kompania “Cima”, të cilën e udhëheq pronari i klubit, Ballkani në emër të sponsorimit në vitin 2021 mori plot 400 mijë euro. I ka edhe dy marrëveshje me Viva Fresh në vlerë prej 300 mijë eurosh, njërën 200 mijë e njërën 100 mijë. E ka edhe një marrëveshje me një kompani tjetër në vlerën 120 mijë, një tjetër për 70 mijë euro dhe disa “të vogla”, për mijëra euro.
Një milion euro i kanë përfituar të gjitha federatat sportive së bashku nga marrëveshjet e sponsorimit në vitin e kaluar. Dhe kësaj shifre i është afruar Ballkani i vetëm. Gjithsej për sport vjet janë ndarë nga marrëveshjet e sponsorimit mbi shtatë milionë euro.
Por investimi i madh, përkatësisht përfitimi i madh nga marrëveshjet e sponsorimit jo gjithnjë nënkupton edhe sukses sportiv. Këtë e dëshmon rasti i klubit të futbollit Besa nga Peja. Dikur klubi më i suksesshëm në vend, Besa po lufton për mbetje në kategorinë e dytë të futbollit kosovar. Aktualisht është e fundit në Grupin A të Ligës së Parë.
Dhe nëse përfitimi nga sponsorimi do të nënkuptonte sukses sportiv, atëherë Besa do të duhej të ishte të paktën në mesin e tabelës në Superligë.
Besa e Pejës në vitin 2021 nga marrëveshjet e sponsorimit i ka përfituar plot 225 mijë euro. Jo pak për një klub të kategorisë së dytë.
Dy marrëveshje me Dukagjinin, Besës i kanë siguruar 150 mijë euro. E ka edhe një marrëveshje prej 40 mijë eurosh e një tjetër prej 30 mijë eurosh. Natyrisht klubi pejan i futbollit i ka edhe disa marrëveshje të “imta”.
Prej klubeve të basketbollit, për numrin e marrëveshjeve të arritura prin Trepça. Sipas të dhënave zyrtare, Trepça i ka realizuar plot 32 marrëveshje të sponsorimit. Dhe prej tyre ka përfituar shumë të majme – mbi 379 mijë euro.
Prej klubeve të tjera të basketbollit, Sigal Prishtina i ka vetëm pesë marrëveshje, por ka përfituar plot 210 mijë euro. Me Sigalin, marrëveshja e Prishtinës është e vlefshme 120 mijë euro.
Klubi i basketbollit Peja ka përfituar po ashtu shumë të lartë nga marrëveshjet e sponsorisimit. Plot 332 mijë e 500 euro i kanë takuar klubit që të enjten fitoi Ligën Unike dhe që ka pasur mbi dhjetë lojtarë të huaj gjatë edicionit aktual.
Golden Eagle Ylli i është afruar goxha shumë Trepçës e Pejës me të hyrat nga marrëveshjet e sponsorimit. Ka realizuar vjet të hyra prej 253 mijë eurosh nga kjo mënyrë e financimit. Ylli është i pari në Superligë dhe po e kërkon titullin e kampionit.
Prej klubeve të femrave, ai i basketbollit Penza ka realizuar të hyra prej 114 mijë eurosh. Një marrëveshje e ka për 50 mijë euro, një tjetër për 30 mijë e një për 20 mijë euro. KBF Prishtina kishte të hyra prej 67 mijë e 500 eurosh nga këto marrëveshje. Klubi i hendbollit Istogu (femrat) vjet përfitoi nga sponsorimi 60 mijë e 900 euro.
Lista e klubeve që kanë përfituar është e gjatë dhe shumë interesante.
Klubet e federatat sportive prej vitit 2020 kanë nisur të përfitojnë nga Ligji për sponsorim, ndonëse ai në fuqi është prej vitit 2017. Por për shkak të komplikimeve të shumta, ligji nuk është aplikuar deri në vitin 2020. Në vitin 2020 klubet e federatat kishin përfituar “vetëm” tre milionë euro. Vjet përfituan mbi shtatë milionë euro, ndërsa shifra mund të rritet për këtë vit.
Ligji për sponsorim nuk është burimi i vetëm financiar për klubet e federatat. Shteti ndan mjete për sportin edhe në forma të ndryshme. Madje vjet ka ndarë edhe për rimëkëmbje, ndonëse nga marrëveshjet e sponsorimit nuk shihet se një pjesë e mirë e tyre kanë pasur nevojë për rimëkëmbje.
Disa klube që kanë përfituar shumë, vazhdimisht ankohen se janë në krizë financiare. Dhe kjo jep hapësirë për të dyshuar nëse paratë gjithnjë shkojnë në adresën e duhur.
Vjet gjithsej janë realizuar 512 marrëveshje të sponsorimit. Shumica prej tyre nga klubet. Me këto marrëveshje, kompanitë ndajnë për klube tatimin në fitim prej 30 për qind, që do të duhej t’ia paguanin shtetit.
KOK-ut 290 mijë euro nga tri marrëveshje
Komiteti Olimpik i Kosovës nuk ka mbetur prapa sa i takon realizimit të të hyrave nga marrëveshjet e sponsorimit. KOK-u vjet realizoi tri marrëveshje, ndërsa i përfitoi 290 mijë euro. Një marrëveshje është e vlefshme 150 mijë euro, një tjetër 120 mijë euro dhe një 20 mijë euro.