Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ballkani: Nëse Qeveria nuk na ndihmon, të paktën mos të na pengojë drejt rrugëtimit tonë

Kampioni i Superligës së Kosovës, FC Ballkani, përmes një reagimi në Facebook të shtunën, ka thënë se është thellësisht i shqetësuar me vendimin e Qeverisë për t’ia bllokuar një ndihmë prej 80 mijë eurosh nga Komuna e Suharekës për klubin.

Asamblistët e Komunës së Suharekës javë më parë kishin votuar që Ballkanit t’i ndaheshin 80 mijë euro. Njëjtë kishin vepruar edhe vitin e kaluar e që ishte aprovuar nga ekzkutivi. Por këtë vit, Qeveria e ka bllokuar këtë ndihmë me arsyetimin se ndarja e mjeteve të tilla duhej të bëhej në dëgjim publik e jo përmes Asamblesë.

“Jemi thellësisht të shqetësuar që në këtë kohë kur ne si klub duhet të përfaqësojmë, jo vetëm FC Ballkanin, por edhe shtetin e Kosovës në garën me prestigjioze të futbollit evropian, në Ligën e Kampionëve të UEFA-s, qeveria e shtetit tonë shikon vetëm me anë negative avancimin e rinisë sonë. Nëse shteti ose qeveria në fjalë nuk mund të na ndihmojë, të paktën mos të na pengojë në rrugëtimin tonë i cili është bërë me shumë sakrifica biznesore dhe familjare duke punuar dhe investuar në sport”, thuhet në reagimin e klubit suharekas.

Tutje, në reagim thuhet se me vendime të tilla po neglizhohen investitorët dhe sportistët, gjë që po çon në largimin e tyre nga Kosova.

Ballkani u shpall kampion i Superligës sivjet për herë të parë në histori. Klubi nga Suhareka do ta përfaqësojë Kosovën në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ku do të përballet me Zhalgirisin e Lituanisë në fillim të korrikut.

 

REAGIM I nderuar Kryetar z. Bali Muharremaj,Të nderuar asambleist të Komunës sonë faleminderit për mbështetjen...

Posted by FC Ballkani on Saturday, June 18, 2022