Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bajrami mungon ndaj Polonisë, i gatshëm ndaj Hungarisë e San Marinos

Nedim Bajrami nuk do të jetë i gatshëm për lojë kundër përfaqësueses së Polonisë. Bajrami të martën gjatë ditës e konfirmoi se do të mund ta përfaqësojë Shqipërinë në nivel përfaqësuesesh.

Një ditë më pas, skuadra e tij Empoli, e konfirmoi thirrjen e “kuqezinjve”, por se mesfushori nuk do të mund të luajë kundër Polonisë. Empoli nuk ka treguar në komunikatë arsyen pse ai nuk do të jetë i pranishëm për këtë duel.

“Nedim Bajrami është thirrur nga Përfaqësuesja e Shqipërisë për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2022. Mesfushori i “kaltër” do t’i bashkohet grupit për duelet kundër Hungarisë dhe San Marinos”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e skuadrës italiane.

Shqipëria do të luajë në stadiumin Narodowy të Varshavës të enjten nga ora 20:45. Më 5 shtator nga ora 18:00 luhet dueli kundër Hungarisë në stadiumin “Elbasan Arena”. Në po të njëjtin stadium, Shqipëria më 8 shtator e pret San Marinon. Që të tria ndeshjet janë të rëndësishme për kualifikim në Botërorin “Katari 2022”.

Shqipëria bën pjesë në Grupin I dhe zë pozitën e tretë pas tre ndeshjeve me gjashtë pikë. E para është Anglia me nëntë pikë, e përcjellë nga Hungaria me shtatë pikë. Në dy vendet e fundit janë Andorra dhe San Marino pa pikë. 22-vjeçarit Bajrami iu mohua kalimi nga Zvicra te Shqipëria, ndonëse kishte luajtur ndeshje zyrtare vetëm për grupmoshën U21 të Zvicrës, pasi ka mbushur 21 vjet. Kjo ia pamundësoi ndryshimin e federatës bazuar në ndryshimet e fundit të Rregullores përkatëse të FIFA-s. Megjithatë, Bajramit iu mundësua më pas ta përfaqësojë Shqipërinë pas triumfit të FSHF-së në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Mesfushori 22-vjeçar në edicionin e ri me Empolin ka shënuar një gol dhe ka dy asistime në tri ndeshje zyrtare.