Illmen Bajra është emëruar trajneri te ekipi i femrave të basketbollit Bashkimi nga Prizreni.
Bajra këtë post e ka marrë të hënën kur edhe ka filluar stërvitjet me basketbollistet e Bashkimit.
Bajra tashmë disa vjet ka qenë asistenti i parë te ekipi i meshkujve të Bashkimit kurse gjatë këtij edicioni ka drejtuar disa ndeshje në IP Superligën e Kosovës dhe Ligën Ballkanike (BIBL).
Këtë edicion, Bajra me Bashkimin ka dy finale, atë të Kupës së Kosovës dhe BIBL-it.
“Kemi vendosur që Bajra të jetë trajner i ekipit tonë deri në fund të këtij edicioni, me mundësi që punën ta vazhdojë edhe edicionin tjetër. Kemi bërë investime këtë vit në ekip dhe duam që edicionin ta mbyllim me titull”, ka thënë kryetari i ekipit të femrave te Bashkimi, Rrahman Përteshi.
Ekipi i femrave të Bashkimit në fillim të këtij viti ka angazhuar dy përforcime nga SHBA-ja - Khadija Haywood-Brown dhe Anastasia Williams - pasi po e kërkon titullin e parë të kampionit prej vitit 2011. Bashkimi është kualifikuar në garat e play-offit të Ligës së Femrave dhe në gjysmëfinale do të luaj kundër Pro Bet Prishtinës. Ndeshja e parë, do të zhvillohet të enjten (19:30) kurse ekipi që regjistron dy fitore kualifikohet në finale. Çifti tjetër gjysmëfinal është Penza - Trepça. Bashkimi në pjesën e dytë të këtij edicioni është i vetmi në Ligën e Femrave që ka shënuar nëntë fitore në po aq ndeshje të zhvilluara në kampionat. Pjesën e rregullt e ka mbyllur në pozitën e tretë në tabelë, me 32 pikë të tubuara.