Kur Jose Mourinho kishte nevojë për dikë që të zinte vendin e Ashley Colet në krahun e majtë, ai i drejtohej Cesar Azpilicuetas. Këtë e bënte përkundër faktit që spanjolli ishte transferuar te Chelsea si mbrojtës i krahut të djathtë.
Kur Antonio Conte donte të gjente një zgjidhje për ta ndërruar sistemin e lojës me tre mbrojtës, kthehej kah Azpilicueta, edhe pse spanjolli më herët kishte luajtur vetëm si mbrojtës tradicional krahu.
Kur Maurizio Sarri ishte në kërkim të një kapiteni për të pasuar Gary Cahillin, ai zgjodhi Azpilicuetan, ndonëse të gjithë në klub ishin të bindur se shiritin e meritonte Eden Hazardi dhe kjo do të bënte që ai mos të largohej nga Chelsea.
Dhe, në fund, kur Barcelona bëri ofertë zyrtare verën e shkuar për transferimin e Azpilicuetas, Thomas Tuchel nuk lejoi largimin e tij. Trajneri gjerman i tha klubit se spanjolli nuk do të largohej sepse është në planet e tij, ndonëse kishte të tjerë që ishin të bindur se ditët e Azpilicuetas kishin perënduar në “Stamford Bridge”.
Azpilicueta ishte një “transferim” i profilit të ulët, të cilin Chelsea e angazhoi në verën e vitit 2012 nga Marseille për vetëm 8 milionë euro. Edhe tifozëve të Chelseat iu nevojit një kohë për ta pranuar Azpilicuetan dhe për të vlerësuar cilësitë e tij. Për dallim prej tifozëve, Azpilicueta, që njihej me nofkën “Dave”, kishte raporte të mira me të gjithë trajnerët, të cilët e adhuronin.
“Azpilicueta është një lojtar që më pëlqen shumë. Mendoj se një ekip me 11 Azpilicueta do ta fitonte pa problem Ligën e Kampionëve, pasi futbolli nuk ka të bëjë vetëm me talentin. Futbolli ka të bëjë gjithashtu me karakterin dhe personalitetin dhe Azpilicueta i ka të gjitha këto. Është personalitet fitues”, pati thënë Mourinho në vitin 2014.
Këto fjalë rezultuan të ishin gati profetike, pasi Azpilicueta jo vetëm që ngriti trofeun e Ligës së Kampionëve me Chelsean, por u bë lojtari i parë që fitoi të gjitha garat me londinezët, përpara se të njoftonte largimin nga klubi me një video emocionuese lamtumire, të enjten. Atij iu mundësua të transferohej si lojtar i lirë tek Atletico Madridi dhe të largohet nga Chelsea si njëri prej më të mëdhenjve në histori të klubit.
Edhe
Azpilicueta mes lotësh konfirmon largimin nga Chelsea
Spanjolli kurrë nuk ka qenë lojtari më i talentuar në ekipin e Chelseat dhe transferimi i tij pothuajse nuk ishte vërejtur fare tek ekipi londinez. Atë verë në “Stamford Bridge” u transferua edhe Eden Hazard. Por është e vështirë të imagjinohet që Chelsea do të fitonte nëntë trofetë e fundit pa Azpilicuetan në ekip. Ai ishte njeriu që bashkoi gjithçka dhe udhëhoqi me shembull brenda dhe jashtë fushës, si një lider i vërtetë. Azpilicueta luajti çdo ndeshje të edicionit të fitimit të titullit në Premier League (2016/17) dhe humbi vetëm katër nga 190 ndeshjet e Chelseat në kampionat nga gushti i vitit 2015 deri në maj të vitit 2020. Prandaj ishte më se e kuptueshme që 33-vjeçari nuk arriti t’i përmbante lotët në videon e tij lamtumire që e publikoi klubi.
“Çfarë udhëtimi. Ato momente do t’i marr me vete dhe do të zgjasin përgjithmonë. Kjo është shtëpia ime dhe shpresoj t'i shoh të gjithë këtu një ditë. Dashuria që më kanë treguar çdoherë është diçka për të cilën jam vërtet krenar. Shpresoj që mund ta mbajmë këtë marrëdhënie përgjithmonë”, ishin fjalët e Azpilicuetas, teksa fshinte lotët.
Askush që e dashuron Chelsean me zemër nuk do ta harrojë gjurmën që Azpilicueta e ka lënë në klub dhe “Dave” do të njihet përgjithmonë si legjendë e klubit.