Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

“Avullohen” biletat, Zvicër – Kosovë do të jetë festë futbolli

Të premten pasdite, Federata e Futbollit e Zvicrës njoftoi se ka nxjerrë në shitje biletat e ndeshjes Zvicër – Kosovë. Nuk vonoi shumë dhe Federata zvicerane lëshoi tjetër njoftim – “biletat janë shitur brenda një ore”.

Bëhet fjalë për plot 33 mijë bileta të shitura për më pak se një orë. Kjo garanton që stadiumi “St. Jakob-Park” në Basel më 18 nëntor do të jetë i stërmbushur. Me shumë mundësi shumë prej shikuesve do të jenë shqiptarë. Dhe festa e futbollit është e garantuar.

“Paraqitja e dytë në histori e përfaqësueses së Kosovës në futboll në Zvicër do të jetë festë e futbollit”, ka shkruar gazeta e madhe zvicerane “20 Minuten” në lajmin për shitjen e shpejtë të biletave.

Kosova e Zvicra përballen për herë të tretë. Për herë të parë në Zvicër luhet ndeshje kualifikuese. Festë futbolli, me shumë spektakël e pa asnjë incident ishte ndeshja Kosovë – Zvicër, e zhvilluar më 9 shtator në “Fadil Vokrri”. Stadiumi ishte i stërmbushur, ndërsa takimi nuk dha fitues. Përfundoi 2:2. Vedat Muriqi shënoi gol në minutën e 94-t për barazimin dramatik të Kosovës.

Zvicra e Kosova ishin takuar edhe më 29 mars të vitit të kaluar në Zuerich. Ndeshja ishte miqësore e po ashtu festive. I tillë ishte edhe rezultati – 1:1. Kosova kishte përkrahje të madhe nga tribunat, që ishin “pushtuar” nga shumë shqiptarë.

“Shumë bileta me gjasë kanë shkuar te kosovarët që jetojnë në Zvicër”, ka shkruar sajti i televizionit zviceran, SRF.

Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri janë lojtarët kryesorë të Zvicrës. Në Zvicër jetojnë shumë shqiptarë, ndër të tjera edhe familjet dhe të afërmit e disa lojtarëve të Kosovës. Dhe kjo i jep dimension tjetër ndeshjes në Basel.

Edhe Dalin në shitje biletat për Kosovë – Zvicër Futboll Dalin në shitje biletat për Kosovë – Zvicër

Ndeshja ka edhe peshë të madhe garuese. I takon kualifikimeve për Euro 2024. Aktualisht Zvicra është e dyta në grup me 15 pikë nga shtatë ndeshje. Kosova është e katërta në grup me shtatë pikë nga shtatë ndeshje. Rumania është e para me 16 pikë nga tetë ndeshje, ndërsa Izraeli është i treti me 11 pikë nga gjashtë ndeshje. Kosova ka gjasa fare të vogla për kualifikim në Evropianin që vitin tjetër mbahet në Gjermani. Por një paraqitje e mirë në Basel do të kishte vlerë shumë të madhe.

Zvicra më 15 nëntor e luan ndeshjen e shtyrë me Izraelin. Tashmë është e qartë se ajo ndeshje nuk do të luhet në Izrael. Ndërkohë termini i ndeshjes Kosovë – Izrael nuk është caktuar ende. Për Kosovën, ndeshja me Zvicrën pritet të jetë e para në nëntor. Për Zvicrën, e dyta. Më 21 nëntor, Kosova e pret Bjellorusinë, ndërsa Zvicra luan në udhëtim te Rumania.

“Me gjithë paraqitjen e zbehtë, Zvicra mund ta sigurojë biletën për Evropian para ndeshjes me Kosovën. Nëse merr tri pikë me Izraelin, do të jetë në Gjermani vitin tjetër. Nëse jo, ndeshja me Kosovën do të jetë mundësia e radhës për të siguruar kualifikimin”, ka shkruar “Blick”.