Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Avokati i Vokrrit: Ende nuk e kemi pranuar vendimin

Përfaqësuesi ligjor i Gramoz Vokrrit, Arbër Krasniqi, ka thënë se ende nuk ka pranuar kurrfarë vendimi prej Gjykatës Themelore në Prishtinë. Krasniqi javën e kaluar ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Federatës së Futbollit të Kosovës për ndalimin e kandidimit të Gramoz Vokrrit për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës, si dhe pezullimin e vendimit për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të kësaj federate.

“Ende nuk e kemi pranuar vendimin”, ka thënë shkurt për KOHËN avokati Krasniqi. Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë me dy vendimet e saj ka konfirmuar ligjshmërinë e thirrjes së Kuvendit të rregullt zgjedhor për kryetar të FFK-së, i caktuar për datën 6 prill.

Sipas letrës së publikuar nga FFK-ja, ishte departamenti i përgjithshëm i kësaj gjykate, i cili e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e paditësit Gramoz Vokrri për anulimin dhe shtyrjen e vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të FFK-së.

Federata në njoftimin e saj, ka thënë se Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka gjetur asnjë shkelje dhe paligjshmëri në lidhje me Kuvendin që do të mbahet të mërkurën. Po ashtu, FFK-ja ka bërë të ditur se për të njëjtin Kuvend tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen zyrtarë të lartë të UEFA-s, të FIFA-s, MKRS-së dhe të KOK-ut.