Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Avdyli shpallet “Ylli i Javës”

Portieri i skuadrës së Llapit, Ilir Avdyli e ka fituar epitetin me lojtarit më të mirë të xhiros së nëntë në Superligën e Kosovës në futboll. Avdyli, të hënën është nderuar me çmimin “Ylli i Javës”, ka njoftuar FFK-ja.

Ishte komisioni i veteranëve të futbollit, ai që ka vlerësuar Avdylin si më të mirin pas paraqitjeve të mira që i pati në ndeshjen kundër Lirisë. Llapi triumfoi 2:0 ndaj Lirisë edhe pse mbeti pa dy lojtarë, të cilët u ndëshkuan me karton të kuq.

Ndërkohë, Avdyli krahas paraqitjeve të mira, e priti edhe penalltinë për ta mbajtur rezultatin 0:0, përpara se Llapi të shënonte dy gola për fitoren e radhës.

“Jam shumë i lumtur që jam shpallur më i miri i xhiros së 9-të, sidomos në një ndeshje kaq të luftuar siç ishte kjo me Lirinë. Është gjithmonë kënaqesi të arrish të mbrosh një penallti e ta ndihmosh ekipin me 3 pikët e radhës”, ka thënë Avdyli, i cili ka shtuar se Llapi është në rrugën e duhur për të arritur objektivat për këtë edicion.

Aktualisht, Llapi është i dyti në tabelë me 19 pikë të mbledhura, një më pak se Ballkani që është lider. Megjithatë, Llapi ka një ndeshje më shumë të zhvilluar sesa Ballkani, që është edhe kampion në fuqi.