Portugezi Joao Felix do të largohet përfundimisht nga Atletico Madridi gjatë afatit kalimtar të janarit. E përditshmja spanjolle “AS” raporton të enjten se te Atletico kanë marrë vendim për ta nxjerrë në shitje Felixin.
Bëhet e ditur se për kartonin e tij, klubi spanjoll po kërkon rreth 100 milionë euro, ndërsa interesim për shërbimet e 23-vjeçarit, tashmë kanë shfaqur Paris Saint-Germaini e Manchester Unitedi.
Felixi e ka humbur vendin e titullarit këtë edicion tek Atletico dhe është i gatshëm të largohet nga Spanja për ta vazhduar karrierën në një kampionat tjetër.
Ai ka shënuar tri gola dhe ka bërë po aq asistime në La Liga këtë edicion, ndërsa me Atleticon ka kontratë deri në vitin 2026. Felix iu bashkua ekipit spanjoll në vitin 2019 nga Benfica.