Presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo, ka thënë se do ta lë me dëshirë rivalin lokal Real Madridin, që t’i luajë ndeshjet e mbetura të stinorit në stadiumin e vet “Wanda Metropolitano”.
Stadiumi i Realit “Santiago Bernabeu” është duke u rinovuar. Real Madridi ka vendosur të fillojë punët e renovimit dhe të luajë ndeshjet e mbetura të stinorit në stadiumin ku luan skuadra e dytë.
Por, Qeveria e Spanjës është e hapur të lejojë tifozët në stadiume në kapacitet të reduktuar. Kjo nënkupton se Barcelona do të luajë në “Camp Nou” para 30 mijë tifozëve, por Reali mund të luajë vetëm para 1800 tifozëve pasi stadiumi “Alfredo Di Stefano” ka kapacitet vetëm 6000 ulëse.
Duke folur të mërkurën, kreu i Atleticos ka thënë se është i gatshëm ta lë Realin të luajë në stadiumin e vet.
“Asnjëri nuk duhet të dyshojë për këtë, ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Real Madridin”, ka thënë Cerezo, njofton agjencia Reuters.