Kampioni në fuqi i Spanjës, Atletico Madridi e ka mposhtur në udhëtim Real Betisin. Të dielën mbrëma në stadiumin “Benito Villamarin”, Atletico ka shënuar fitore me rezultatin 3:1, në ndeshjen e xhiros së 27-të në La Liga.
Portugezi Joao Felix ka kontribuar me dy gola në këtë triumf, ndërsa një gol e ka shënuar edhe Thomas Lemar. Felix ka realizuar në minutën e dytë dhe 61-të, përpara se Lemar ta vulos rezultatin në minutën e 80-të. Golin e nderit për Betisin, e ka shënuar Cristian Tello në minutën e pestë të kohës shtesë të pjesës së parë.
Me këtë fitore, Atletico është ngritur në pozitën e katërt në tabelë me 48 pikë, dy më shumë se Betisi që ka rënë në pozitën e pestë.