Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Aspekti financiar e bindi Kolollin t’i bashkohet skuadrës japoneze

Benjamin Kololli e kaloi gjithë karrierën e tij në futbollin e Zvicrës. Pavarësisht këtij fakti, ai nuk luajti për grupmoshat e Zvicrës. Vendosi që ta përfaqësojë Kosovën. Në Zvicër, ai luajti në kategorinë e dytë (Challenge League) dhe më pas bëri kalimin e madh në Superligën e Zvicrës. Pas shumë vjetëve të kaluar në shtetin helvetik, karrierën zgjodhi që ta vazhdojë në Japoni. Reprezentuesi i Kosovës, i ka kaluar disa ditë që prej transferimit të tij me skuadrën e re, në qytetin Shimizu.

29-vjeçari Kololli mund të marrë frymë më lirshëm, sa i përket aspektit financiar. Transferimi i yllit të skuadrës së Zuerichut u bë zyrtar më 23 korrik nga klubi japonez Shimizu S-Pulse. Në mediat zvicerane thuhet se kjo marrëveshje ishte arritur shumë kohë më parë.

“Deri në këtë javë kisha vetëm kontratë preliminare”, ka thënë Kololli për gazetën zvicerane “Blick”, të shtunën. “Ka qenë shumë e komplikuar deri më tani për shkak të koronavirusit. Duhej të hyja në karantinë për 14 ditë para se të lihesha i lirë për t’i kryer testet mjekësore. Vetëm atëherë e kam nënshkruar kontratën”.

Kololli shkoi te klubi japonez si transferim i lirë, pasi kontrata e tij me klubin zviceran skadoi në këtë verë. Para transferimit, kishte interesim për Kolollin nga Twente në Holandë dhe Luzerni në Zvicër. Mirëpo, pastaj interesim shprehu Shimizu dhe gjithçka përfundoi.

“Nuk kam menduar kurrë për Japoninë. Por më pas erdhi oferta luksoze, edhe në aspektin financiar”, thotë reprezentuesi i Kosovës që luajti në kategorinë e dytë para një kohe të gjatë para se t’i bashkohej FC Zuerichut e të fitonte pak para.

Ai e pranon. Edhe pse në Japoni, ndryshe nga shtetet e tjera, pagat paguhen, klubi ka reputacion, niveli i “J-Leagues”japoneze është i mirë dhe në Japoninë moderne, kualiteti i jetës është prej më të mirëve.

“Konichiwa (Përshëndetje) Benjamin, mirësevjen në Japoni”, thuhej në njoftimin e zyrtarizimit të futbollistit të krahut të majtë. Kolollit, megjithatë, në Japoni i mungon gruaja e tij, Tina.

“Nuk e di se kur mund të vijë këtu, sepse ka rregulla të komplikuara të hyrjes në shtet”, thotë ai.

Kontrata e Kolollit përfundon më 1 janar të vitit 2024. Kololli i bashkohet skuadrës së re në mes të sezonit. S-Pulse është skuadër e mesit të tabelës. Aktualisht, renditet në vendin e 14-t nga 20 klube sa numëron kjo ligë. Ka 24 pikë nga po aq ndeshje të zhvilluara. Ka regjistuar pesë fitore, nëntë barazime e dhjetë humbje.

Trajneri i skuadrës është spanjoll. Kjo skuadër përfshin edhe një peruan dhe pesë brazilianë, përfshirë këtu edhe ish-futbollistin e ekipit të Luganos, Carlinhosin.

“Kemi përkthyes. Klubi me të vërtetë përkujdeset për çdo gjë. Edhe apartamenti im është i gatshëm tashmë”, thekson ish-ylli i Zuerichut, që tani shpreson të bashkohet sa më shpejt me gruan e tij, Tinën.

Karriera e Kolollit ka qenë ndryshe prej të tjerëve. Kontratën e parë profesionale nuk e ka nënshkruar deri në moshën 22-vjeçare. Përparimin më të madh e bëri në Lausanne në vitin 2016.

27-vjeçari në edicionin e shkuar shënoi gjashtë gola dhe bëri po aq asistime në 22 paraqitje për Zuerichun. Në të kaluarën, përveç Lausannet, Kololli luajti edhe për ekipet si Biel-Bienne, Young Boys, Sion dhe Le Mont.

Kololli me Përfaqësuesen e Kosovës debutoi në vitin 2011. Deri tani, ai është paraqitur në 23 ndeshje dhe ka shënuar katër gola në total.

Artikuj të ngjashëm