Sport

Asllani nuk dëshiron të krahasohet me Ibrahimoviqin

Futbollistja Kosovare Asllani nuk dëshiron të krahasohet me yllin e Milanit, Zlatan Ibrahimoviq. Asllani ditë më parë u transferua po ashtu te Milani. Ajo edhe më herët është krahasuar me Ibrahimoviqin.

Asllani ka luajtur në të njëjtën periudhë me Ibrahimoviqin edhe te Paris Saint-Germaini. Si Asllani ashtu edhe Ibrahimoviqi janë pjesë e përfaqësueseve të Suedisë.

“Ka pasur tendencë të krahasimit edhe kur shkova te PSG-ja. Por, unë jam personalitet më vete dhe nuk dua të krahasohem me asnjë lojtar dhe as me Ibrahimoviqin. Nuk kemi ngjashmëri. Unë dua të fokusohem te vetja ime dhe nuk dua të krahasohem me askënd”, ka thënë Asllani.

Ajo ka qenë e hapur për disa pyetje nga lexuesit e gazetës suedeze Aftonbladet. Ka thënë se ka pasur edhe oferta të tjera, porse vendosi t’i bashkohej Milanit.

Asllani më herët karrierë në Evropë ka bërë edhe te Real Madridi dhe Manchester City.

Me Suedinë ka shënuar 43 gola në 160 ndeshje. Me përfaqësuesen suedeze do të paraqitet edhe në Evropianin që do të mbahet në Angli.