Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Asllani beson në start të mirë të Suedisë në Botëror

Kosovare Asllani do të jetë kapitene e Suedisë kundër Afrikës së Jugut, në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës.

Suedia dhe Afrika e Jugut do të luajnë të dielën në 7 të mëngjesit me orën tonë lokale.

Ndeshja do të zhvillohet në “Sky Stadium” të Wellingtonit në Zelandën e Re.

Suedia është në Grupin G, bashkë me Italinë dhe Argjentinën.

Suedia është e treta në ranglistën botërore të FIFA-s. Por të vetmin triumf e kanë në Kampionatin Evropian të vitit 1984. Vitin e kaluar, Suedia ishte gjysmëfinaliste në Evropian, humbi në penallti në finale të Lojërave Olimpike nga Kanadaja në “Tokio 2020”, dhe ishte e treta në Kupën e Botës 2019. Paraqitjen më të mirë në Botëror e pati në vitin 2003, kur ishte nënkampione.

“Suedia është gjithmonë pretendente për trofe. Nuk është vetëm për shkak të renditjes botërore sepse në fund kjo nuk ka rëndësi. Por është mënyra se si i qasemi ndeshjeve dhe turneve. Lojtaret kanë marrë përvojë të madhe dhe jemi në mesin e favoriteve. Mezi presim të dalim në fushë dhe t’u tregojmë se si kemi stërvitur në javët e fundit”, është shprehur Asllani të shtunën në konferencën për shtyp.

Edhe Asllani nominohet për mesfushoren më të mirë në Suedi Futboll Asllani nominohet për mesfushoren më të mirë në Suedi

Përzgjedhësi Peter Gerhardsson ka thënë në konferencë se Asllani do të jetë kapitene e skuadrës, pasi kapitenia e rregullt, Caroline Seger, do të jetë në bankën rezervë për shkak të gjendjes jo të mirë fizike.

“Më pëlqen të marr përgjegjësi në fushë dhe kënaqem kur jam e përfshirë si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Mendoj se kemi një numër të madh lojtaresh që mund ta kenë përgjegjësinë e lideres. Për ne nuk është problem se kush do ta ketë shiritin në krah. Ne e përkrahim njëra-tjetrën”, ka deklaruar Asllani.