Sport

Asani premton të tjera paraqitje të mëdha për ta ndihmuar Shqipërinë drejt Evropianit

Shqipëria humbi nga Polonia në fushë të hënën mbrëma, por fitoi një lojtar me vlera dhe tejet cilësor për të ardhmen. Bëhet fjalë për mesfushorin Jasir Asani. Asani debutoi për Shqipërinë në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024”. Shqipëria e humbi 1:0 ndeshjen ndaj Polonisë në Varshavë, përkundër paraqitjes së mirë. Asani luajti deri në minutën e 70-të, ndërsa mund të vlerësohet si “zbulim” i trajnerit brazilian Sylvinho. Gjatë pjesës së parë, Asani padyshim se ishte ndër më të mirëve në fushë te Shqipëria. Ai ishte ndër lojtarët më të penguar dhe ka qenë vazhdimisht kërcënim për polakët. Asani është shquar për harkime të sakta.

E në një intervistë për KOHËN një ditë pas debutimit të tij, 27-vjeçari ka pranuar se është i kënaqur me paraqitjen e tij, por jo edhe rezultatin. Ai insiston se Shqipëria nuk e ka merituar humbjen në ndeshjen e parë të ciklit kualifikues për Evropianin e vitit të ardhshëm, bazuar në atë se çfarë ka treguar në fushë. Megjithatë, ka thënë se ndjenja e të luajturit me fanellën e Shqipërisë nuk mund të përshkruhet dhe mbetet diçka shumë e veçantë. Ai luan për Gëangju të Koresë së Jugut. Është nga Shkupi, ndërsa ka luajtur për U21 të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë. Këtë sezon, Asani ka realizuar katër gola në po aq paraqitje në kampionatin e Koresë së Jugut.

“Ishte ndjenja më e mirë që e kam përjetuar ndonjëherë, pasi emocionet ishin të mëdha. Unë jam i lumtur dhe krenar që jam pjesë e kombëtares shqiptare dhe në secilën ndeshje do të jap shpirtin përgjithmonë”, është shprehur Asani. “Sigurisht, jam i kënaqur me paraqitjen, por jo edhe me rezultatin pasi kemi bërë një ndeshje të mirë dhe jemi krenarë me atë që treguam në fushë”.

Humbja nga Polonia në kuadër të Grupit E kualifikues, aspak nuk i zbeh synimet e Asanit me fanellën e Shqipërisë. Ai thotë se debutimi e motivon edhe më shumë për të dhënë gjithçka nga vetja për t’i fituar ndeshjet e tjera. Sipas Asanit, Shqipëria ka një ekip shumë të mirë.

“Ftesa më ka motivuar shumë pasi e kam pritur për një kohë të gjatë. Tash më mbetet të punoj edhe më shumë dhe të bëjë çmos për ta ndihmuar ekipin të fitojë ndeshjet tjera të grupit. Mund të them se kemi ekip shumë të mirë dhe këtë e dëshmuam me Poloninë, por fati nuk ishte në anën tonë. Marrë në përgjithësi, lirisht mund të them se kemi bërë një ndeshje shumë të mirë”, është shprehur Asani.

Ndeshja me Poloninë, ishte e para dhe e vetmja që Shqipëria e luajti këtë muaj në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Asani insiston se Shqipëria mund të sigurojë pjesëmarrjen në Evropianin që do të mbahet vitin tjetër në Gjermani. Dy ekipet e para në grup do të kualifikohen në këtë ngjarje të madhe të futbollit evropian.

“Besoj se po, pasi i kemi shanset të kualifikohemi për shkak se kemi ekip shumë të mirë. Na mbetet t’i fitojmë ndeshjet e radhës, sidomos ato që i luajmë në shtëpi për të arritur synimin tonë”, shtoi ai.

Ndeshjet e radhës kualifikuese, Shqipëria i luan në muajin qershor. Më 17 qershor e pret në shtëpi Përfaqësuesen e Moldavisë, ndërsa tri ditë më vonë luan në udhëtim kundër Ishujve Faroe. Pjesë e këtij grupi është edhe Çekia, e cila prin me katër pikë të tubuara pas dy ndeshjeve të zhvilluara.