Arsenali është përshëndetur në mënyrë emocionale me Granit Xhakën. Xhaka luajti për skuadrën londineze shtatë vjet, ndërsa ka fituar dy Kupa FA dhe dy Superkupa. Xhaka firmosi me Bayer Leverkusenin të enjten. Ai për Arsenalin ka luajtur 297 ndeshje, ndërsa shënoi 23 gola dhe bëri 29 asistime.
Në rrjetet sociale Arsenali ka publikuar një video të bukur të Xhakës. Ndërkohë në sajtin zyrtar klubi londinez publikoi një shkrim të gjatë për kosovarin.
Për Xhakën folën edhe drejtuesit e Arsenalit, ndonëse kjo jo shpesh ndodh për lojtarë që largohen.
“Po i themi lamtumirë një lojtari fantastik dhe një personi të dashur për të gjithë ne. Ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm për të dhe ai ka dhënë absolutisht çdo gjë për këtë klub. Ndikimi që Graniti ka pasur te bashkëlojtarët në fushë dhe kolegët në klub dëshmon se sa i popullarizuar ishte”, ka thënë trajneri Mikel Arteta.
“Nuk mund ta falënderojmë mjaftueshëm Granitin për shërbimin dhe kontributin e tij për klubin përgjatë viteve. Ne i dëshirojmë Granitit dhe familjes së tij çdo të mirë në periudhën e ardhshme në jetën e tyre”, ka shtuar Arteta.
Edhe drejtori sportiv i Arsenalit, Edu, ka thënë se Graniti ishte pjesë e rëndësishme e klubit për kohë të gjatë.
Edhe
Arsenali: Xhaka, gjithnjë pjesë e familjes Arsenal
“Ai na ka ofruar përkushtim të madh dhe kualitet për shumë vjet. Ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në përparimin dhe suksesin tonë. Ai largohet me falënderimin tonë të madh dhe respektin. I dëshirojmë çdo të mirë në të ardhmen”, ka thënë Edu.
Edhe komentet e tifozëve të shumtë të Arsenalit ishin në superlativ për Xhakën, që tani i vë aftësitë e futbollit në shërbim të Bayer Leverkusenit.
Xhaka është transferuar për 25 milionë euro.