Liderit të Premier Leagues, Arsenalit, gjatë gjithë sezonit i janë vënë në pikëpyetje synimet për titull. Por fitorja e fundit, 3:2 kundër Manchester Unitedit, ka heshtur shumë nga ata që dyshonin në ekipin e trajnerit Mikel Arteta.
Eddie Nketiah shënoi golin e fitores në momentet e fundit të ndeshjes në “Emirates Stadium” të dielën, ndërsa tifozët e Arsenalit tashmë janë mbushur me besim të ri se ky mund të jetë viti i tyre. Ndeshja kundër Unitedit u pa si një provë serioze për Arsenalin, sidomos pasi Manchester City ngushtoi diferencën në krye të tabelës në vetëm dy pikë më herët gjatë ditës. Ishte një sfidë e rëndësishme për Arsenalin dhe futbollistët e Artetas u kundërpërgjigjën fort pasi pranuan golin e parë, të shënuar nga Marcus Rashfordi.
Arsenali, i cili ka regjistruar fillimin më të mirë ndonjëherë në një sezon të ligës angleze, tani ka 50 pikë pas 19 ndeshjesh, pesë më shumë se kampioni në fuqi, City. Arsenali ka edhe një ndeshje më pak.
“Nuk besoj se do të mund të kishim shkuar me mirë se kaq pas 19 ndeshjeve të luajtura”, pranoi Arteta të hënën. “Jemi në një moment të mirë të cilin po e shijojmë, por që duhet ta vazhdojmë deri në fund për shkak se sezoni është i gjatë”.
Arteta tha se shpreson që rezultati ndaj Unitedit, që pasoi fitoren 2:0 të javës së kaluar kundër Tottenhamit në derbin e Londrës veriore, i jep skuadrës besimin se Arsenali mund të kurorëzohet kampion i ligës për herë të parë që nga viti 2004. Por ai dëshiron të mbajë këmbët në tokë pavarësisht një sezoni të jashtëzakonshëm në të cilin ka humbur vetëm një herë në ligë.
“Ne e dimë realitetin tonë, e dimë se sa shumë duhet të përmirësohemi”, tha spanjolli, i cili më parë ishte asistent i Pep Guardiolas te City.
Arsenali përballet me Cityn në mes të muajit të ardhshëm, por ndeshjet e ardhshme duken të gjitha se mund të fitohen nga ekipi i Artetas, i cili duket se nuk e ka ndërmend të gabojë deri në fund. Duke lënë mënjanë ndeshjen kundër Cityt, kundërshtarët e ardhshëm të Arsenalit në ligë janë Evertoni, Brentfordi, Aston Villa, Leicesteri, Bournemouthi, Fulhami, Crystal Palace dhe Leedsi.
City, në anën tjetër, duket se ka gjetur përsëri formën pas një lëkundjeje. Por ish-kapiteni i Arsenalit, Arteta, e ka shndërruar skuadrën në favorit për titull. Saka është bërë edhe më i fortë, ndërsa Nketiah është rritur në mungesë të Gabriel Jesusit të lënduar. 23-vjeçari tani ka gjashtë gola në gjashtë ndeshje në të gjitha garat që nga Botërori në Katar.
“Nuk na intereson City apo ndonjë ekip tjetër. Ne dalim për ta fituar çdo ndeshje, siç e kemi bërë deri më tani. Jemi në gjysmë të sezonit dhe kemi shumë ndeshje të tjera për të luajtur. Kështu që, duhet të qëndrojmë të qetë dhe të vazhdojmë tutje”, shtoi kapiteni i Arsenalit, Martin Odegaard. “Nuk dua të mendoj për titullin, por ta mbajmë fokusin që e kemi aktualisht dhe të shkojmë nga ndeshja në ndeshje”.
Për dallim prej Odegaardit, mbrojtësi i krahut të majtë, Oleksandr Zinchenko, është treguar optimist i madh. Ai iu bashkua Arsenalit para fillimit të këtij sezoni nga City, ekip me të cilin e fitoi titullin e kampionit edicionin e shkuar.
“Prej fillimit kur iu bashkova Arsenalit e kam ditur se ky ekip mund ta fitojë titullin. Në fakt, disa qeshën me deklaratat e mia në fillim kur thashë se Arsenali mund të shpallet kampion. Mirëpo tani duket se të gjithë ata që dyshonin janë heshtur”, shtoi Zinchenko.
Arsenali do të përballet këtë javë me Manchester Cityn, por në kuadër të rundit të katërt të Kupës FA. Kjo ndeshje zhvillohet të premten mbrëma në “Etihad Stadium”.