Fitorja eventuale ndaj Manchester Cityt të dielën në finalen e League Cup, do të shpëtonte edicionin e Arsenalit, por gjithashtu do të konfirmonte frazën gjithnjë e më të popullarizuar se "londinezët nën urdhrat e Arsene Wengerit janë shndërruar në ekip që fiton vetëm kupa".
Kanë kaluar 14 vjet prejse Arsenali ka fituar titullin e fundit në Premier League, kurse vetëm një herë ka dalë nënkampion në dekadën e fundit, në vitin 2016 kur përfundoi dhjetë pikë prapa Leicester Cityt, transmeton Koha Ditore.
Edicionin e shkuar përfundoi në pozitën e pestë, kurse këtë edicion Arsenali aktualisht është i gjashti në Premier League dhe i dorëzuar për titullin e kampionit, të cilin pritet ta fitojë City. Në fund të këtij edicioni, sërish do të fillojë debati mes tifozëve të Arsenalit sa i përket së ardhmes së trajnerit Wenger, i cili ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm. Disa do të kërkojnë qëndrimin e tij, derisa të tjerët besojnë se francezi duhet të largohet nëse Arsenali dëshiron të kthehet seriozisht në garën për titullin e kampionit.
Wenger do të krenohet me tre trofe të FA Cup, që i fitoi me Arsenalin në katër edicionet e fundit. Arsenali nuk ka triumfuar në League Cup prej vitit 1993 edhe pse ka luajtur në dy finale të kësaj gare me Wengerin. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).