Mesfushori i Luton Town, Pelly Ruddock Mpanzu do të vazhdojë rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm që e dërgoi nga futbolli amator anglez e deri në Premier League. Ai është pajtuar të vazhdojë kontratën me Lutonin, skuadrën e re të elitës angleze.
29-vjeçari është i pari lojtar në histori që me skuadrën e njëjtë është promovuar nga niveli i pestë i futbollit anglez në nivelin e parë, duke kaluar të gjitha nivelet. Ai do të luajë edicionin e 11-të për skuadrën nga “Kenilworth Road”.
Mpanzu kishte ushtruar me West Hamin, ndërsa ka 364 paraqitje me Lutonin. Së fundi kishte luajtur në plejofin e Championshipit, përkatësisht në fitoren ndaj Coventryt. Ai fillimisht i ishte bashkuar Luton Townit si huazim në nëntor të vitit 2013. Menjëherë në janar të vitit 2014 kompletoi transferimin.
“Jam shumë i lumtur që kthehem në skuadër dhe jam gati për të nisur punën. Shpresoj të jetë një edicion i suksesshëm për ne në Premier League”, ka thënë Mpanzu për sajtin zyrtar të Lutonit.
“Më duhet të luaj ndaj Brightonit në ndeshjen e parë të Premier Leagues për ta kompletuar këtë histori. Do të luftojmë që të mbesim në ligë. Mezi pres të kontribuoj për skuadrën. Jam kaq gjatë në skuadër dhe jam shumë i lumtur”, ka shtuar Mpanzu.
Trajneri Rob Edwards ka thënë se tregimi i Mpanzut është unik.
“Vazhdimësia e tij është brilante. Ai jep çdo gjë për skuadrën. Lë çdo gjë në fushën e lojës. Është pjesë e rëndësishme e ekipit, brenda dhe jashtë fushës. Është djalosh i shkëlqyer që e duan të gjithë. Kështu që është gjë e duhur që ai tani do ta ketë rastin të luaj në Premier League. Ka punuar shumë për këtë”, ka thënë Edwards.
Edhe
Fodeni vazhdon edhe katër edicione me Man. Cityn
Lutoni me Mpanzun në përbërje, nga kategoria e pestë (Conference) ishte promovuar në të katërtën në vitin 2014. Prej “League Two” (niveli i katërt) në “League One” janë promovuar në vitin 2018. Një vit më vonë Lutoni kaloi në Championship e këtë vit në Premier League.
Mpanzu është i lindur në Angli, por është me prejardhje nga Kongo. Për Kongon i ka luajtur dy ndeshje.
Luton Town për herë të parë është promovuar në Premier League.