Kampioni i Anglisë, Manchester City me çdo kusht do ta kërkojë fitoren në ndeshjen kundër skuadrës së Lutonit. Bazuar në renditjen në tabelë, City shihet favorit absolut ndaj Lutonit, por forma e dobët në xhirot e fundit ka bërë që ekipi i Pep Guardiolës të pësoj rënie. Në katër ndeshjet e fundit, City nuk di për fitore në kampionat, ku ka regjistruar tri barazime dhe një humbje. Ka rënë në pozitën e katërt në tabelë me 30 pikë dhe fitoren e ka detyrim ndaj Lutonit për të mbajtur hapin me kreun e tabelës. Në anën tjetër, Lutoni është i 18-ti në tabelë me 9 pikë dhe këtë edicion ka regjistruar 10 humbje, tri barazime e dy fitore. Dueli mes Lutonit dhe Cityt, zhvillohet të dielën prej orës 15:00 dhe i takon xhiros së 16-t të kampionatit anglez.
Forma e dobët e Cityt i ka shkuar për shtati Arsenalit, që është lider në Premier League me 36 pikë të mbledhura. Megjithatë, këtë xhiro, Arsenali nuk do të ketë aspak punë të lehtë. Të shtunën prej orës 18:30, Arsenali do të jetë mysafir i Aston Villas, ekip që në mesjavë e mposhti Manchester Cityn 1:0. Aston Villa ka treguar paraqitje të mira dhe në katër ndeshjet e fundit ka regjistruar tri fitore e një barazim. Është ngritur në pozitën e tretë në tabelë me 32 pikë, dy më pak se Arsenali që është në seri prej katër fitoreve rresht.
Të shtunën, por prej orës 13:30 luan edhe Liverpooli që është i dyti në tabelë me 34 pikë të mbledhura. Liverpooli do të luajë në udhëtim te Crystal Palace, ndeshje kjo që edhe e hap xhiron e 16-të të Premier Leagues.
Ndeshja tjetër interesante do të jetë edhe ajo ndërmjet Tottenhamit dhe Newcastle Unitedit. Me këtë ndeshje edhe mbyllet xhiroja e kampionatit anglez, pasi zhvillohet të dielën prej orës 17:30. Tottenhami ka katër humbje e një barazim në pesë ndeshjet e fundit dhe është i pesti në tabelë me 27 pikë, një më shumë se Newcastle Unitedi që renditet i shtati.