Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Arbritrat e basketbollit në linjën e frontit të luftës me koronavirusin si mjekë

Jetët e shumë personave nëpër botë janë përmbysur për shkak të koronavirusit, veçanërisht në Itali, një vend ku janë konfirmuar mbi 100 mijë të infektuar dhe ku kanë vdekur mbi 11 mijë persona.

Për dy referët e basketbollit, Guido Giovannetti e Silvia Marziali, kriza i ka larguar nga parketi, pasi gjitha sportet janë pezulluar në vend. Por, ata kanë kthyer vëmendjen e plotë te puna e tyre primare si mjek në luftën kundër koronavirusit, shkruan faqja zyrtare e Federatës Botërore të Basketbollit (FIBA), transmeton Koha.net.

“Tash situata është shumë e vështirë dhe po ndryshon çdo ditë”, thotë Giovannetti, që është refer i FIBA-s që nga viti 2017. “Qeveria gjithmonë po kërkon më tepër ndihmë nga mjekët. Në rastin tim, unë po punoj në spitalin në Bari dhe më herët, isha në departamentin e kardiologjisë, por tash, jam dërguar në departament tjetër për pacientët me COVID-19. Problemi i vërtetë është se nuk e dimë kur do të përfundojë, pasi në disa pjesë të Italisë, si Lombardi, Milano, ndoshta situata po arrin kulmin, por frika e jonë është se në jug nuk po ulen rastet dhe ndoshta njerëzit janë zhvendosur nga veriu për një jug dhe kanë përhapur virusin. Nuk e dimë, por numrat po rriten”.

Marziali është me seli në Romë, ku ka studiuar për mjekësi dhe ka shkruar tezën e saj në kardiologji.

Është e vështirë të gjurmohet, pasi si mjeke, mund të gjendet në disa vende. Marziali punon në një spital në vendlindjen e saj në Fermo dhe po ashtu për shërbimin e emergjencës në Romë. Së fundi, ajo ka punuar për Ministrinë e Shëndetësisë në Civitavecchia.

Edhe Dy pandemitë e Italisë: COVID-i dhe mafia Botë Dy pandemitë e Italisë: COVID-i dhe mafia

Ajo është e gatshme të bëjë çfarëdo që të jetë e nevojshme për të luftuar pandeminë.

“Kur bëhesh mjeke, jep një premtim. Dhe duhet nderosh atë sa herë që je në punë, veçanërisht kur ka emergjencë. Bën çdo gjë për të ndihmuar tjerët”, thotë ajo.

Ngarkesa ka qenë e madhe në Itali për spitalet, mjekët dhe çdo gjë të lidhur me shërbimet mjekësore.

“Kur ka nisur situata me koronavirus, unë vërtetë kam dashur të ndihmojë. Nuk kishte rëndësi. Kam qenë e gatshme për çdo gjë. Nuk kishte rëndësi nëse më caktojnë në veri të Italisë, ku është katastrofë e vërtetë. Shumë nga ne thanë po për të shkuar atje. Puna është vërtetë e vështirë. Ne gjithmonë punojmë me orare të zgjatura, por tash frika është se mund të sjellësh virusin te familja jote dhe po ashtu mund të infektohesh vet”, thotë Marziali.

Giovannetti dhe kolegët e tij mbajnë maska, veshje speciale, këpucë dhe dorëza. Në fund të ndërrimit, duhet të dezinfektohen dhe të heqin veshjet.

Giovannetti për ekspozimin e mundshëm thotë: “Sigurisht se gjithmonë ekziston frika, por edhe kur referoj qëllimi im kryesor është të jem i qetë dhe i sinqertë, pasi duhet të përballem me këtë dhe nuk kam opsion tjetër. Duhet të mbash gjithë ato veshje mbrojtëse, ndonëse nuk është komode”.

Giovannetti, që ka studiuar mjekësi në Universitetin e Perugias dhe është në vitin e dytë të specializimit, ka shkuar hapave të prindërve të tij.

“Prindërit e mi janë mjekë, por ata nuk më kanë obliguar të bëhem mjek, ishte zgjedhja ime. Nga një moshë e re, ishte ëndrra ime të bëhem mjek, të ndihmoj njerëzit”, ka deklaruar Giovannetti.

Si Marziali, që babanë e ka mjek, ashtu edhe Giovannetti, thonë se basketbolli i jep më tepër balancë në jetë.

Edhe Spitalet në Itali po arrijnë në pikën kritike nga vala e dytë e koronavirusit Botë Spitalet në Itali po arrijnë në pikën kritike nga vala e dytë e koronavirusit

“Unë jam ajo që jam për shkak të asaj që bëjë në basketboll dhe mjekësi. Unë gjithmonë mundohem të balancoj këto dy aspekte të jetës sime. Janë dy pasione të mia dhe nuk mund të kem vetëm njërin nga këto”, thotë Marziali. “Basketbolli më jep opsionin për të pasur një mendje të hapur, për të sfiduar veten, të përmirësohem si person. Fal FIBA-s, unë vërtetë e kam zbuluar Evropën, kam takuar shumë njerëz nga shtetet tjera, e këto janë dy aspekte që janë shumë të rëndësishme për mua”.

“Basketbolli është pasion shumë i madh për mua dhe sporti në përgjithësi dhe është me rëndësi të kesh një balancë të mirë mes aktiviteteve sportive dhe punës. Gjëja kryesore është të krijosh një balancë të mirë në jetën tënde. Mendoj se të gjithë duhet të kenë një pasion jashtë punës për të ndjekur”, thotë Giovannetti.

Image