Sport

Arbër Xhekaj kalon të gjitha parashikimet, i bashkohet ligës NHL në hokej mbi akull

Arber Xhekaj - hokej akull

Arbër Xhekaj është njëri prej lojtarëve më të frikshëm të kategorisë së juniorëve, por edhe njëri me tregimin më të mirë të kësaj kategorie. Rrëfimi i tij fillon në Hamilton, si fëmijë i dy migrantëve, të cilët u takuan nga shokët e përbashkët në hotelin “Sheraton” të Onarios para më shumë se dy dekada.

Babai i tij, që po ashtu quhet Arbër, është nga Kosova, kurse e ëma nga Çekia. Për shkak se prindërit nuk e flisnin gjuhën e njëri-tjetrit, Arbëri me krenari tregon se si u rrit si fëmijë me theksin anglez të tyre. Tani kampioni i juniorëve me ekipin Bulldogs në OHL (Ontario Hockey League), ka firmosur kontratë me ekipin e njohur nga NHL (National Hockey League), Montreal Canadiens. Rrugëtimi i tij ishte e gjatë dhe aspak premtues. Në këtë rrugë Xhekaj ishte i vetëm, duke hapur dyert me punën e tij të palodhshme.

“Arbëri ishte një përbindësh në lojë, shumë i ashpër”, thotë Steve Staios, menaxheri gjeneral i ekipit Bulldogs.

Xhekaj pasi e kaloi me sukses draftin e OHL-së, filloi të binte në sy me ashpërsinë e tij. Ai ishte shumë më agresiv se të tjerat dhe brenda një viti u dënua me 134 minuta në 57 ndeshje të luajtura. Kjo edhe tërhoqi vëmendjen e ekipeve të tjera.

“Qysh në fillim e projektuam si një lojtar të rëndësishëm të ekipit. Ai kishte lëvizje të mira dhe një teknikë të jashtëzakonshme. Kishte forcë dhe nuk frikësohej nga askush”, kujton Staios.

Kur pritej të bënte hapin e madh, të draftohej në NHL, pandemia e koronavirusit e goditi sezonin 2019/20 dhe detyroi në anulimin e edicionit 2020/21. Vitin e shkuar, duke mos pasur ku të luaj, Xhekaj punonte në dyqanin “Costco” dhe bënte patinazh sa herë që masat pandemike ia lejonin në Hamilton. Aty edhe nisi të përmirësohej dhe kjo bëri që Xhekaj të marrë ftesë nga Montreal Canadiens për kampin stërvitor. Pas paraqitjeve të forta në këtë kamp, erdhi edhe kontrata nga ekipi i Montrealit edhe pse Xhekaj nuk kishte luajtur për një vit e gjysmë asnjë ndeshje.

“Arbëri është një djalosh i vendosur dhe këtë e dëshmon gjithmonë. Ai e ka praninë fizike, por edhe luan mirë. Si fëmijë ka pasur karakter dhe falë këtij karakteri do të ketë edhe sukses”, shprehet Staios.

Para katër vjetësh, Xhekaj kurrë nuk do të kishte imagjinuar se do të arrinte në NHL, ligën kryesore të hokejit mbi akull në botë. Në fakt ai nuk ishte i sigurt nëse hokeji është sporti i duhur për të. Ai vetëm dëshironte ta provonte veten në OHL dhe ndoshta do ta kishte mundësinë të luante në Çeki, për shkak të shtetësisë së dyfishtë dhe atje nuk do të konsiderohej si i huaj.

“Jo, përfundimisht jo. Nuk e kam menduar se një ditë do të jem këtu. Unë kam besuar se loja ime do të më mjaftonte të luaj në OHL. Megjithatë, unë kam punuar shumë dhe gjërat ndodhën shumë shpejt”, thotë Xhekaj, që gjatë vitit pandemik ishte duke rregulluar raftet në dyqanin e elektronikës. “Ishte vështirë gjatë pandemisë, sepse nuk kishte ndeshje, por pasi firmosa me Montrealin më është kthyer besimi dhe jam krenar që kam arritur deri këtu”, shton 21-vjeçari.

Karriera e tij sapo ka filluar si profesionist dhe ai shpreson që edicionin e ri të aktivizohet me ekipin në ndeshjet e NHL-së, ndonëse nuk do të jetë lehtë.

“Mund ta ndihmoj ekipin me lojën time. Jam lojtar i fortë dhe më pëlqen të luaj lojë fizike”.

Arbëri është bërë shembull për vëllain e tij më të vogël, Florianin, që po mundohet ta ndjekë rrugën e njëjtë. Floriani nuk u draftua në NHL, por është pjesë e ekipit ku Arbëri u zhvillua si lojtar.