Turneu Grand Slam i tenisit Wimbledon është anuluar për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, për shkak të përhapjes së koronavirusit, shkruan BBC, transmeton Koha.net.
Turneu ishte paraparë të mbahej nga 29 qershori deri më 12 korrik, por organizatorët kanë vendosur të anulojnë.
“Është një vendim që nuk e kemi marrë lehtësisht dhe e kemi marrë duke pasur parasysh shëndetin e publikut dhe mirëqenien e të gjithëve që vijnë në Wimbledon. Ka rënduar tepër në kokën tonë se turneu është ndërprerë në të kaluarën vetëm nga Luftërat Botërore, por, pas shqyrtimit të gjitha skenarëve, ne besojmë se është çështja e krizës globale që e bën këtë vendim për të anuluar turneun si të duhur. Mendja jonë është me të gjithë ata që kanë qenë dhe janë të prekur nga këto kohë të paprecedent”, ka thënë kryetari i All England Club, Ian Hewitt.
Wimbledoni është ngjarja e radhës e madhe që është prekur nga koronavirusi. Shkaku i virusit janë shtyrë për një vit Evropiani i futbollit dhe Lojërat Olimpike në Tokio.
Vendimi për Wimbledonin është marrë vetëm disa ditë pasi organizatorët e Grand Slamit tjetër “Roland Garros’, kanë vendosur të shtyjnë atë nga maji për në fund të shtatorit.
Të martën është raportuar se ka gjasa që gjithë stinori i tenisit të anulohet shkaku i përhapjes së koronavirusit.