Karateisti Alvin Karaqi ka shënuar edhe një sukses në arenën ndërkombëtare.
Ai sot ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të karatesë për Universitete që është mbajtur në Japoni, bën të ditur KOK-u, transmeton Koha.net.
“Alvin Karaqi ka fituar medaljen e bronztë në kampionatin botëror të karatesë për Universitete, të mbajtur në Kobe të Japonisë. Karaqi fitoi të bronztën përmes repesazhit, kategoria -84 kilogramë”, thuhet në konfirmimin e KOK-ut.
Kurse karateisti tjetër, Elhami Shabani, pësoi humbje në luftën për medaljen e bronztë përmes repesazhit. Me karateistët ishte edhe sekretari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazi Gashi, që ishte në cilësinë e trajnerit.
Kosova u përfaqësua nga Federata e Sportit Universitar të Kosovës, e cila është anëtare e plotë e Federatës Ndërkombëtare të Sporteve Universitare (FISU).