Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Alonso i Chelseat nuk do të ulet më në njërin gju

Foto: Reuters

Mbrojtësi i Chelseat, spanjolli Marcos Alonso nuk do të ulet më një njërin gju para ndeshjeve, në shenjë proteste kundër racizmit, sepse mbrojtësi i majtë beson se gjesti ka filluar “të humb pak forcë”.

Në vend të kësaj, Alonso do të tregojë një simbol kundër racizmit në fanellën e tij para fillimit të ndeshjes.

Klubet e Premier League filluan ta bëjnë gjestin kur sezoni 2019/20 rifilloi pas një ndërprerjeje tremujore për shkak të pandemisë koronavirus, në vazhdën e protestave për vrasjen e George Floyd në SHBA.

“Unë jam plotësisht kundër racizmit dhe jam kundër çdo lloj diskriminimi, dhe thjesht preferoj të vë gishtin në simbolin ku i thotë jo racizmit, siç bëjnë në disa sporte tjera në vende të tjera”, tha Alonso. Sulmuesi i Crystal Palacet, Wilfried Zaha u bë lojtari i parë i Premier League që vendosi të mos ulej në njërin gju në muajin mars.

Zaha shpjegoi arsyetimin për vendimin e tij se gjesti ishte “bërë pjesë e rutinës para ndeshjes” dhe bëri pak për të frenuar abuzimin racist. Alonso tha se nuk e ka diskutuar çështjen me shokët e tij të skuadrës.