Mesfushori ofensiv Miguel Almiron duket se ende është duke e pickuar veten, pasi nuk po arrin të besoj se është blerja rekorde e ekipit nga Premier League, Newcastle United.
Paraguaiani iu bashkua ekipit anglez në afatin kalimtar të janarit nga kampioni i MLS-s, Atlanta United për 25 milionë euro dëmshpërblim. Por, nuk kishte shumë kohë kur Almiron e godiste topin nëpër lagjet e varfra të San Pablos që gjenden në qytetin Asuncion të Paraguait.
Si djalosh i vogël, Almiron prej moshës shtatëvjeçare ka ëndërruar të bëhej futbollist profesionist, në mënyrë që të kishte para të mjaftueshme për t'ia blerë një shtëpi familjes së tij, shkruan “The Sun”, transmeton “Koha Ditore”. Ai këtë premtim e bëri kur u transferua te Lanus në Argjentinë nga ekipi Cerro Porteno ku e kishte filluar karrierën.
Në Argjentinë u transferua në vitin 2015, kurse pak muaj më vonë u kujdes që shtëpinë ta blejë në të njëjtën zonë ku ishte rritur, duke ia bërë dhuratë gjyshit, nënës, axhës dhe motrës që tashmë jetojnë aty. Për djaloshin e qetë dhe të turpshëm, gjithçka nisi në klubin e futbollit “3 de Noviembre” ku bëri hapat e parë të driblimit në fushën e betontë të lyer me katran.
“Ai ishte shumë i ndrojtur, kështu që unë vendosa ta dërgoj në ekipin e futbollit, në mënyrë që të krijonte miqësi me fëmijët tjerë. Migueli nuk kishte shumë shokë dhe mendova që për të mirën e tij është të merret me futboll”, kujton babai i tij, Ruben Almiron. “Migueli shumë shpejt filloi të adaptohet dhe të tregohet shumë i talentuar. Krijoi shumë shokë dhe brenda disa muajve vlerësohej në mesin e më të mirëve në ekip. Personalisht, nuk besoja që Migueli kishte arritur në këtë nivel për shkak se në klub e dërgova vetëm për t'u shoqëruar”.
Kaloi provat, por klubi nuk i ofroi kontratë
Duke parë dëshirën e flaktë të Miguelit për t'u bërë futbollist, familja e tij bëri gjithçka që ishte e mundur për ta përkrahur drejt aspiratave që kishte. Babai Rubeni punonte deri në 18 orë në ditë si rojë sigurimi derisa e ëma Sonia u punësua në një market, në mënyrë që të mundë t'i ofronin kushte të birit të tyre që kishte filluar të tregonte talent si futbollist.
Edhe
Almiron firmos kontratë të re me Newcastlein
Prindërit e Miguelit u kujdesën që atij të mos i mungonte asgjë. Edhe pse punonin me orare të tejzgjatura, i biri i tyre nuk humbiste asnjë stërvitje. Prindërit angazhuan xhaxhanë e Miguelit dhe gjyshin për ta dërguar me ndërrime në stërvitje dhe për ta kthyer në shtëpi.
Edhe shkolla luajti një rol të mirë tek Almironi, i cili ishte nxënës në “Escuela Basica” si fillorist që gjendej ngjitur me fushën e futbollit të ekipit “3 de Noiembre”.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)