Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Allegri flet për situatën e Dybalas

Trajneri Massimiliano Allegri insiston se Juventusi ka nevojë për Paulo Dybalan, por nuk jep informata për rinovimin e kontratës së sulmuesit.

Agjenti i Dybalas është dashur të takohet gjatë ditës së djeshme me krerët e Juventusit për t’i nisur negociatat, por klubi e ka shtyrë takimin për më vonë.

Kontrata e Dybalas me Juventusin skadon në fund të këtij edicioni, dhe klubi tashmë është tërhequr nga oferta që i kishte bërë argjentinasit vitin e shkuar.

“Paulo është një lojtar profesionist. Sikurse të gjithë lojtarët e tjerë, edhe ai duhet të diskutojë me klubin për rinovimin e kontratës”, ka thënë Allegri.

“Ai duhet të dalë në fushë dhe të jap më të mirën, si gjithmonë. Aktualisht, Dybala po rikuperohet nga lëndimi dhe ekipi ka nevojë për të. Është një lojtar teknik që na jep cilësi dhe unë kam nevojë për Paulon. Shpresoj që të rikthehet të mërkurën për ndeshjen e Championsit ndaj Villarrealit”.

28-vjeçari është pjesë e Juventusit, por vitet e fundit ka pasur telashe me lëndimet e shpeshta. Këtë edicion, Dybala ka shënuar 12 gola dhe ka bërë gjashtë asistime në 27 ndeshje.

Artikuj të ngjashëm