Mbrojtësi i Kosovës, Fidan Aliti, vlerëson se miqësoret ndaj Armenisë dhe Hungarisë do t’u shërbejnë shumë për të ardhmen. Ai shpreson në rezultat pozitiv.
“Shpresojmë në rezultate pozitive. Këto dy ndeshje dhe ndeshjet në qershor na duhen neve për të parë punën e trajnerit e po ashtu edhe ai neve. Duhet të njohim karakterin e njëri-tjetrit për të pasur suksese në të ardhmen”, ka thënë Aliti për FFK-në.
Mbrojtësi i Alanyasporit për Kosovën ka luajtur 46 ndeshje dhe ka shënuar një gol.
Aliti ka folur edhe për kundërshtarët, në veçanti për Hungarinë. Hungaria do të jetë pjesëmarrëse në Evropianin që këtë verë mbahet në Gjermani. Ndeshjen ndaj Hungarisë, Kosova e luan më 26 mars në Budapest. Të premten përballet me Armeninë në Jerevan.
“Hungaria është një ekip me shumë kualitet dhe do të marr pjesë në Evropian. Por janë ndeshje miqësore dhe do të jenë hap para për suksese”, ka thënë Aliti.
Aliti ka thënë se selektori Franco Foda ka përcjellë një pjesë të filozofisë së tij te lojtarët.
“Kemi punuar shumë në aspektin taktik dhe na ka treguar filozofinë e tij dhe si ai dëshiron të paraqitemi në fushë. Besoj se ajo është shumë e rëndësishme”, ka thënë Aliti.
Aliti ka punuar me Fodan gjatë kohës te Zuerichu.