Koronavirusi tashmë ka izoluar thuajse gjithë Evropën, duke detyruar njerëzit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Por, një gjë të tillë nuk e ka bërë shteti i Suedisë, aty ku luan edhe mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Fidan Aliti.
Qendërmbrojtësi me prejardhje nga Presheva, tregon se në Suedi, përkundër koronavirusit, asgjë nuk është mbyllur dhe po vazhdon të jetohet në normalitet.
“Në Suedi nuk jemi të izoluar. Të gjitha janë të hapura duke nisur nga shitoret e kafenetë”, ka thënë Aliti, në një bisedë për emisionin Sporti Total në KTV. “Është një kohë e vështirë, por është për të gjithë njëjtë kështu. Po mundohemi të jemi të qetë dhe ta kalojmë këtë sfidë sa ma shpejt”.
Për futbollistin e Kalmarit, një gjë e tillë është e çuditshme. Ai thotë se përkundër situatës së krijuar, shteti suedez nuk ka ndërmarrë asnjë hap në lidhje me izolimin e qytetarëve
“Është pak e çuditshme se si shteti deri më tani nuk ka reaguar sikurse shtetet e tjera të Evropës. Duke e parë situatën në të cilën janë shtetet e tjera, sigurisht që duhet të kemi më shumë kujdes. Mirëpo, këtu në Kalmar situata është më e qetë dhe ka më pak të infektuar nga koronavirusi. Por, në qytetet e tjera më të mëdha ka më shumë të infektuar”, theksoi Aliti.