Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Futbollistët e Kosovës Rrahmani e Aliti flasin në Sportin Total

Emisioni Sporti Total të dielën sjell intervista ekskluzive por edhe tregime të veçanta nga jeta e sportistëve kosovar në izolim.

Kapiteni i Kosovës në futboll, Amir Rrahmani flet për kohën në karantinë si dhe planin përgatitës për kthimin e mundshëm në përgatitje. Rrahmani i cili shkëlqeu në sezonin e parë te Verona në Serie A, ka folur edhe për ekipin e ri Napolin.

Bashkëlojtari i Rrahmanit dhe partneri në qendër të mbrojtjes te Kosova, Fidan Aliti vjen me një rrëfim interesant për jetën në Suedi, atje ku vazhdohet të bëhet jetë normale. Megjithëse është pezulluar kampionati, Aliti zbulon se klubi i tij vazhdon të mbajë përgatitje të përbashkëta të lojtarëve.

Një rrëfim interesant do të transmetohet për karateistin Alvin Karaqi i cili gjatë kohës sa ishte duke specializuar në Zvicër, është gjetur në vijnë e parë të luftës kundër koronavirusit, si mjek. Për këtë përvojë dhe synimet në karate, Karaqi flet në një intervistë ekskluzive për Sportin Total.

Për futbollistët e Kosovës krizën financiare dhe gjendjen aktuale të futbollit në Kosovë, flet Eroll Salihu sekretar i përgjithshëm i FFK-së, ndërsa dy tregimet e veçanta vijnë nga Gjakova dhe Suedia.

Tenistja dhe trajnerja e këtij sporti Viola Peja flet për kohën kur ka stërvitur në parket, ndërsa nga Suedia flasin udhëheqësit e klubit Kosova IF, që vazhdon të luajë në ligat amatore të këtij vendi. Të gjitha këto e më shumë, të dielën në Sportin Total të KTV-së, nga ora 22:15.