Lojtari që mund të jetë më i vjetri në fushat e futbollit të ligave evropiane po lidh këpucët për një nga ndeshjet më të mëdha të karrierës së tij shumë të gjatë. Edhe në moshën 48-vjeçare Nassim Akrour ende po gjen mënyra për të ndikuar.
Më 8 janar sulmuesi, i cili luan me Chambery Savoie në kategorinë e pestë të futbollit francez, bëri një paraqitje si zëvendësues në ndeshjen e Kupës së Francës kundër ekipit të kategorisë së katërt Aubagne. Pesë minuta pas inkuadrimit ai dha një asistim të përsosur për shokun e tij Jordan Scarantino që vulosi fitoren e Chamberyt me rezultatin 3:1.
Ajo fitore mundësoi një përballje në 1/16 e finales me pesë herë fituesin e kupës dhe pretenduesin e rregullt të Ligës së Kampionëve, Lyonin, të shtunën.
“Kam luajtur në Ligue 1. Por për shumë lojtarë tanë të rinj të luajnë kundër një skuadre të Ligue 1 është diçka e re, kështu që ka shumë eufori dhe të gjithë janë të lumtur që po përgatiten për këtë ndeshje”, tha ish-reprezentuesi i Algjerisë. “Kupa e Francës është garë e bukur. Jep mundësinë për të fituar trofe dhe për të luajtur në ‘Stade de France’. Unë mund të dëshmoj për emocionin që përjeton kur luan në këtë stadium”.
Edhe pse luajti vetëm tri edicione në divizionin më të lartë të Francës, Ligue 1, Akrour është i njohur në të gjithë rrethet e futbollit francez. Ai është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në dy klube të veçanta: Istres dhe Grenoble Foot. Është paraqitur gjithashtu në të gjitha pesë divizionet më të mira të Francës - një arritje që nuk e kishte menduar se do të ishte e mundur kur filloi të luante futboll për argëtim me miqtë në vitet 1980.
“Futbolli ishte shumë ndryshe në atë kohë. Infrastruktura ishte e vjetër, tani gjërat kanë ndryshuar. Fillova në divizionin e tretë francez dhe më pas shkova në Angli për të luajtur futboll, sepse xhaxhai im jetonin atje. U bashkova me Sutton United, në periferi të Londrës, dhe më pas kalova në Woking FC dhe ishte një përvojë e mrekullueshme për tre vjet”, tregon Akrour.
Pas kthimit në Francë, Akrour shpejt u ngjit në rangun elitar me Troyesin, duke u futur në Ligue 1 në edicionin 2002/03. Promovimet e njëpasnjëshme në futbollin francez ia dhanë atij paraqitjet e para me Përfaqësuesen e Algjerisë.
“Në Kupën e Afrikës 2004 ne humbëm 3:1 nga Maroku dhe ishte zhgënjyese. Megjithatë, momentet më të këqija të karrierës sime kanë qenë gjithmonë kur një klub për të cilin kam luajtur binte nga kategoria. Kjo është ndjenja më e keqe në futboll”.
Me kalimin e viteve Akrour ka parë bashkëlojtarë që vazhdojnë të arrijnë gjëra të mëdha. Olivier Giroud dhe Walid Regragui janë vetëm dy emrat me të cilët Akrour ndau fushën gjatë kohës së tij në Grenoble në edicionin 2007/08. Sulmuesi Giroud tashmë është golashënuesi më i mirë te përfaqësuesja franceze, dhe trajneri i Marokut, Regragui, pushtoi ballinat pasi arriti në vendin e katërt në Kupën e Botës “Katari 2022”.
“Më kujtohen shumë, shumë mirë Olivieri dhe Walidi”, tha Akrour i emocionuar. “Në atë kohë, Olivier ishte një lojtar i ri, kishte hyrë në grup dhe kishte treguar shumë entuziazëm. Sa i përket Walidit, ai kishte një karrierë të shkëlqyer futbollistike dhe tani po ia del shumë mirë si trajner”.
Ish-shokët e tjerë të skuadrës, Djamel Belmadi dhe David Guion, tani në krye të Algjerisë dhe Bordeauxit, kanë kaluar në menaxhim të nivelit të lartë. Ndërsa Brahim Thiam i Malit ka krijuar një vend në televizion.
Por, sa i përket Akrourit, gjithçka ka të bëjë me të qenit në fushë, edhe nëse ai do të përballet me lojtarë pothuajse një të tretën e moshës së tij.
“Shokët e mi të skuadrës më ngacmojnë, por nuk është asgjë serioze”, tregon ai. “Asnjë lojtar kundërshtar nuk më ka thënë ndonjëherë asgjë. Ka shumë respekt dhe vullnet të mirë dhe kur jemi në fushë të gjithë jemi të përqendruar te futbolli. Ndonjëherë mendoj për jetën pas karrierës sime të futbollin, por tani për tani më pëlqen të luaj”.
Në një karrierë që përfshin 780 ndeshje, Akrour ka vendosur shumë rekorde dhe përballja e kësaj fundjave me Lionin paraqet një tjetër mundësi. Në moshën 48-vjeçare, Akrour është më i vjetri që ka luajtur dhe ka asistuar në një ndeshje të Kupës së Francës. Por nëse ai shënon të shtunën, do të thyente rekordin për golashënuesin më të vjetër të garës.
Kur bëhet fjalë për futbollin global, lojtari më i vjetër është japonezi Kazuyoshi Miura, i njohur edhe si “King Kazu”. Në moshën 55-vjeçare ai vazhdon të luajë në divizionin e katërt të futbollit japonez për Suzuka Point Getters.
“Kam dëgjuar për Mbretin Kazu, disa gazetarë më thanë për të vitin e kaluar”, qeshi Akrour. “Nuk e di nëse do të luaj deri në moshën 55 vjeçare. Unë thjesht do të përpiqem ta përfundoj ndeshjen të shtunën dhe më pas të fokusohem në pjesën tjetër të këtij viti. Pastaj do të shohim”.
Kur u pyet për sekretin e jetëgjatësisë së tij, Akrour thekson se nuk ka asnjë sekret. Ai i kushton vëmendje të veçantë përgatitjes para ndeshjes dhe para stërvitjes.
“Unë nuk ha asgjë specifike, por punoj me terapistë fizikë dhe përpiqem të forcoj muskujt e mi sa më shumë që të jetë e mundur për të shmangur dëmtimet”, tha Akrour, i cili u dha disa këshilla lojtarëve të rinj. “E vetmja këshillë që mund t'u jap atyre që duan të zgjasin karrierën është të kujdesen për trupin. Është e rëndësishme të njohësh dhe të dëgjosh trupin tënd, kjo është përshtypja ime”.