Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Algjeria do t’i organizojë ndeshjet ndërkombëtare të Palestinës

Algjeria ka bërë të ditur se do të presë ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare të Përfaqësueses së Palestinës, pas një kërkese nga Federata Palestineze e Futbollit.

Palestina ka planifikuar të fillojë kampanjën e saj të Kupës së Botës 2026 muajin e ardhshëm me ndeshjet kundër Libanit dhe Australisë, në kuadër të kualifikimeve aziatike. Ndeshjen e parë kundër Libanit, Palestina e luan në udhëtim, ndërsa duelin e dytë me Australinë duhet ta zhvillojë në shtetin afrikan. Mësohet se Palestina ka zgjedhur Algjerinë për t’i luajtur ndeshjet si vendase, pavarësisht se është mirëpritur edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pas sulmit ndaj Izraelit nga grupi militant Hamas më 7 tetor, i cili la më shumë se 1400 njerëz të vdekur, Rripi i Gazës i Palestinës ka qenë objekt i sulmeve ajrore hakmarrëse, të cilat kanë rezultuar në gati 3000 persona të vdekur, me izraelitët që synojnë të nisin një ofensivë të afërt tokësore.

“Presidenti i Federatës Algjeriane të Futbollit, zoti Walid Sadi, njofton se vendi ynë do të presë ndeshjen zyrtare Palestinë - Australi, të planifikuar që të zhvillohet në muajin nëntor”, ka shkruar federata algjeriane në uebfaqen e saj zyrtare.

Njoftimi shtoi se vendimi për të pritur “të gjitha ndeshjet zyrtare dhe jozyrtare si pjesë e përgatitjes së ekipit palestinez të futbollit për Kupën e Botës 2026 dhe kualifikueset e Kupës së Azisë 2027” u mor “në përputhje me autoritetet kryesore të Algjerisë”.

Gjithashtu federata algjeriane bëri të ditur se do të paguajë të gjitha shpenzimet, si transportin dhe akomodimin, në lidhje me qëndrimin e Përfaqësueses së Palestinës.

Edhe Irlanda e organizon në terren neutral ndeshjen me Izraelin Futboll Irlanda e organizon në terren neutral ndeshjen me Izraelin

Raundet e hershme të kualifikimeve të Kupës së Botës 2026 në Azi llogariten gjithashtu si kualifikime për garën kryesore të futbollit të kontinentit, Kupën e Azisë. Palestina, stadiumi i së cilës është i vendosur në Bregun Perëndimor, ka kërkuar ndihmë nga jashtë ndërsa konflikti rajonal intensifikohet. Federata palestineze ka deklaruar se Konfederata Aziatike e Futbollit i ka kërkuar asaj që të organizojë ndeshjen ndaj Australisë në një vend neutral.

Marrëveshja e Algjerisë me Palestinën për të pritur ndeshjet ndërkombëtare të përfaqësueses palestineze duhet të marr edhe miratimin nga organi qeverisës botëror i futbollit, FIFA. Javën e kaluar përgatitjet e Palestinës për kualifikimet e muajit të ardhshëm u goditën pasi skuadra u tërhoq nga turneu “Merdeka Cup” në Malajzi për shkak të konfliktit në përshkallëzim me Izraelin.

Ndeshjet kualifikuese të Izraelit për Kampionatin Evropian 2024 kundër Zvicrës dhe Kosovës u shtynë gjithashtu nga organi qeverisës evropian UEFA për shkak të luftimeve. Duelin me Zvicrën, Izraeli e luan në nëntor ndërsa me Kosovën ende nuk është caktuar data.