Alvin Karaqi ka mësuar kundërshtarët e tij për garat e karatesë në Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019, që janë të një niveli mjaft të lartë, bën të ditur KOK-u përmes një komunikate për media.
Karateisti kosovar në kategorinë -84 kilogramë, ndodhet në grupin B, ku bartës i grupit është kampioni i tanishëm botëror, Ivan Kvesiq nga Kroacia, njëherësh kampion edhe i Evropës për vitin e kaluar.
Dy kundërshtarët tjerë janë nënkampioni i tanishëm botëror, Valerii Chobotar i Ukrainës dhe Nikola Malovic i Malit të Zi, medalist i bronztë në evropianin e këtij viti të mbajtur në Guadalajara të Spanjës.
Garat e karatesë zhvillohen në grupe. Në kategorinë e Alvinit janë tetë garuesit më të mirë të Evropës, të ndarë në dy grupe. Garat zhvillohen secili me secilin, kurse në gjysmëfinale kalojnë dy të parët e grupit.
“Është short shumë i vështirë. Janë të gjithë medalistë botërorë dhe evropianë. Luftën e parë e ka me Kvesiq, që është bartës i grupit nga renditja e Minskut. Pres që Alvini të tregoj më të mirën”, tha trajnerja e tij, Shqipër Zogiani për “noc-kosovo.org”.
Derisa Karaqi nuk ka preferuar të flasë, duke dashur ta ruajë gjithë fokusin tek garat.
Edhe
Humbja në sekondën e fundit ia mohoi kalimin në gjysmëfinale Alvin Karaqit
Luftën e parë, Karaqi e zhvillon me kroatin Kvesiq, të cilin e kishte mposhtur në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018, por që ka edhe humbje ndaj tij. Të dytën e zhvillon me Chobotar të Ukrainës, kurse të tretën me malazezin Maloviq.
Karaqi në Lojërat Evropiane Baku 2015 kishte zënë vendin e katërt, duke i ikur për pak medalja.
Garat fillojnë nesër, ndërsa kategoria e Karaqit fillon në ora 12:00 me kohën tonë lokale.
