Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Alan Ruschel, kampioni i mbijetuar i Chapecoenses

Alan Ruschel e realizoi ëndrrën e tij për t'u bërë futbollist profesionist. Madje ëndrrën e realizoi dy herë: kur bëri debutimin për skuadrën Juventude si adoleshent në vitin 2008 dhe pastaj, nëntë vjet më vonë, kur luajti për Chapecoensen kundër Barcelonës në një miqësore të zhvilluar në stadiumin “Camp Nou”.

Ruschel doli nga fusha në “Camp Nou” atë natë me një ovacion. 65.000 tifozët e pranishëm u ngritën në këmbë për të. Vetëm nëntë muaj më parë, më 28 nëntor të vitit 2016, ai kishte qenë një nga tre lojtarët e Chapecoenses që i kishin mbijetuar një aksidenti ajror që la të vdekur 71 persona. Skuadra Chapecoense po udhëtonte për në Kolumbi që të luante kundër Atletico Nacionalit në finalen e Copa Sudamericana. Ishte dashur të ishte loja më e madhe në historinë e klubit brazilian, por lumturia e lojtarëve u shndërrua në ankth. Avioni u rrëzua gjatë rrugës për në Medellin dhe 19 lojtarë, 20 gazetarë, 14 anëtarë të stafit, shtatë anëtarë të ekuipazhit, nëntë zyrtarë të klubit dhe dy mysafirë mbetën të vdekur. Vetëm gjashtë persona mbijetuan: tre lojtarë, një gazetar dhe dy anëtarë të ekuipazhit. Ruschel ishte njëri prej të mbijetuarve.

“Mbaj mend gjithçka që ndodhi”, thotë ai. “Ne po argëtoheshim në aeroport para fluturimit. Në aeroplan disa djem po dëgjonin lutje, disa këndonin, luanin letra. Ishte dikush që nuk e njihja pranë meje, kështu që Jakson Follman (një tjetër i mbijetuar), më ftoi të ulesha pranë tij në mes të aeroplanit. Më shpëtoi jetën. Falënderoj Zotin për këtë. Unë jam gjallë falë ftesës së Follmanit”.

Kur Ruschel flet për aksidentin ai nuk mund t'i fshehë emocionet. Një person thellësisht fetar, futbollisti thotë se nuk i takon atij të kuptojë se pse mbijetoi. Siç thotë tatuazhi i tij: “Në zemrat e tyre njerëzit planifikojnë rrugën e tyre, por Zoti vendos hapat e tyre”. Kësaj i përmbahet Ruschel.

“Unë nuk përpiqem të kuptoj pse i mbijetova përplasjes. Unë mendoj se do ta kuptoj një ditë. Tani për tani unë përpiqem të frymëzoj njerëzit. Unë jam përballur me shumë vështirësi dhe dua t’i motivoj njerëzit përmes saj”, thotë Ruschel.

Edhe Mijëra tifozë presin përfaqësuesen e Argjentinës, me gjithë humbjen në finale Botërori 2026 Mijëra tifozë presin përfaqësuesen e Argjentinës, me gjithë humbjen në finale

Në spital, pas rrëzimit të aeroplanit, Ruschel mori dy lajme të tmerrshme. I pari ishte se shokët e skuadrës që kishin qenë pjesë e jetës së tij, kishin vdekur. Dhe i dyti se ai do të luftonte për të ecur përsëri dhe me siguri nuk do të ishte në gjendje të rifillonte karrierën si futbollist.

Ai u përpoq të provonte se prognoza ishte e gabuar.

"Mendërisht ishte shumë e vështirë. Kam kunja në shpinë për shkak të aksidentit. Doja të ecja përsëri dhe e bëra. Atëherë sfida ime tjetër ishte të filloja të vrapoja. Pas vrapimit fillova të mendoj përsëri për të luajtur futboll. Dhe, natyrisht, të gjithë pyetën nëse do të isha në gjendje të luaja përsëri. I bëra vetes të njëjtën pyetje”, shpjegon ai. “Kur isha më i ri u përballa me shumë mundime për t'u bërë futbollist. Ne nuk kishim pushime, ditëlindje apo festa dhe fjeta në kushte të këqija për një kohë të gjatë. Një futbollist duhet të heqë dorë nga shumë gjëra. Dhe një futbollist gjithashtu jeton për veten dhe familjen e tij, sepse ai merr përgjegjësinë për t'i mbështetur të gjithë. Por përpjekja ime, me shumë ndihmë, më bëri të luaj përsëri futboll”.

Ndeshja e parë e Ruschelit ishte kundër Barcelonës. Ndërsa qëndronte në fushën e stadiumit “Camp Nou” ai ishte mirënjohës që ishte gjallë për atë moment, kryesisht sepse i dha mundësinë për të mbajtur gjallë kujtimin e shokëve të tij.

“Shkova në zhveshtoren e Barcelonës dhe bisedova me shumë lojtarë, veçanërisht me Leo Messin. Nuk isha aq i sigurt se do të kthehesha në formë të mirë, por ai tha disa gjëra që më bënë të përpiqem të kthehem edhe më i fortë: të bëhem kampion me Chapecoensen. Gjithashtu u ndjeva aq mirë në lojën kundër Romës, kur shënova golin tim të parë. Ishte shumë e veçantë. Ne u takuam me Papën. Shumë gjëra kanë ndodhur. Ende më shtyn të jem më mirë”, kujton Ruschel.

Pas atyre miqësoreve, Ruschel vazhdoi të përmirësonte aftësinë e tij derisa ishte në gjendje të kthehej në futbollin garues. Jo të gjithë ishin inkurajues. Ai madje u përball me kundërshtimin brenda klubit të tij.

Edhe Anglezët largohen me medalje, Tuchel flet për krenari Botërori 2026 Anglezët largohen me medalje, Tuchel flet për krenari

“Dikush - nuk do të them kush - tha që po luaja te Chapecoense sepse klubi më mëshiroi. Më dhembi, por gjithashtu më motivoi të tregoja se isha mjaft i mirë. Unë kurrë nuk kam dashur të etiketohem si vetëm një i mbijetuar ose të kujtohem vetëm për shkak të aksidentit”.

Ai shkoi te skuadra Goias në huazim në vitin 2019 për të treguar se ishte ende i aftë të ishte një lojtar elitar i futbollit brazilian.

“Unë vendosa t'i bashkohem Goiasit për të provuar veten. Unë luaja me ekipin e parë dhe shënova golin tim të dytë pas aksidentit. Ne po luanim në Serie A dhe përfunduam në pozitën e dhjetë. Ishte një sezon i mirë. Kam fituar besim duke luajtur në nivelin më të lartë, kështu që ishte koha për t'u kthyer te Chapecoense”, thotë ai.

Ruschel u bashkua me Chapecoenses në fillim të vitit 2020 dhe mori detyrën e kapitenit të skuadrës. Ai luajti 43 ndeshje atë sezon dhe e çoi klubin drejt dy trofeve: kampionatit shtetëror Santa Catarina dhe titullit në Serie B. Jo vetëm që ishte titulli i parë kombëtar i Chapecoenses, por gjithashtu i ktheu ata në nivelet e larta të futbollit në Brazil.

“Unë jam një i mbijetuar i Chapecoenses, por edhe një kampion i Chapecoenses”, thotë Ruschel. “Futbolli është lidhja ime e përjetshme me klubin dhe shokët e mi të skuadrës. Kthimi në Chape dhe grumbullimi i titujve ishte mënyra ime për t'i bërë homazhe të gjithë atyre. Ne kishim probleme financiare vitin e kaluar, por i harruam ato në fushë dhe luajtëm shkëlqyeshëm. Tifozët nuk ishin në stadium për shkak të pandemisë, por titulli është edhe për ata”.

Ruschel tani është baba i djalit dyvjeçar me emrin Lucca, dhe ai pyet veten se si do t'i tregojë të birit për aksidentin dhe sfidat e ndryshme me të cilat është përballur në jetë.

Edhe Lot lehtësimi – tjetër kapitull i jashtëzakonshëm në karrierën e Messit Botërori 2026 Lot lehtësimi – tjetër kapitull i jashtëzakonshëm në karrierën e Messit

“Ai është shumë i ri tani, por unë do të përpiqem ta bëj të kuptojë se sa jam përpjekur të kthehem, të luaj përsëri futboll, të jap një shembull të mirë për të gjithë. Mësimi im më i madh për të do të jetë të bëhet një person i mirë, një person i dashur dhe të frymëzojë gjithashtu njerëzit. Gjërat e mira u vijnë atyre që bëjnë mirë, e dini? Bota është e ashpër tani, kështu që ne duhet të frymëzojmë njerëzit”, insiston Ruschel.

Ruschel u bashkua me Cruzeiron pasi fitoi titullin në Serie B me Chapecoensen. Tani ai është i huazuar te America Mineiro, dhe do të përballet këtë javë me Chapecoensen në kuadër të Serie A. Ai është i detyruar të jetë plot emocione kur të dalë përsëri në stadiumin “Arena Conda”. Lidhja e tij me klubin nuk do të prishet kurrë. Siç thotë ai, me Chapecoensen ai kurrë nuk do të thotë “lamtumirë” por vetëm “shihemi së shpejti”.