Sport

Akademia e parë e basketbollit për femra, shpresë në Gaza

Në Rripin konservator të Palestinës, Gaza, është themeluar një akademi basketbolli vetëm për vajzat. Akademia që ka nisur të funksionojë kohët e fundit, është për të përgatitur vajzat e Gazës që të performojnë në nivelet më të larta. 

Me trajnerët me përvojë, nxënëset mësojnë se si të zhvillojnë talentin dhe aftësinë e tyre, në mënyrë që në një të ardhme të afërt të mundë të bëjnë karrierë në basketboll nëpër vendet evropiane, shkruan sot Koha Ditore.

“Stars Academy” (Akademia e yjeve), me lokacion në Gaza, tenton të nxjerrë basketbolliste të nivelit elitar, nëpërmjet trajnimeve të menduara posaçërisht për femrat, përfshirë këtu kurset e fuqizuara, rezistencën mendore dhe stërvitjet e udhëheqjes.

Kjo akademi mund të jetë një fillim për basketbollin e femrave që të futet në Rripin e varfër të Gazës, i cili vuan nga shkalla e lartë e varfërisë dhe papunësisë për shkak të bllokadës izraelite që nga viti 2007, dhe sulmet e vazhdueshme ushtarake. 

Themeluesit e kësaj akademie besojnë se në Gaza do të mundë të zhvillohen ndeshjet e basketbollit të femrave, pasi interesimi është jashtëzakonisht i madh. 

“Kjo është akademia e parë e basketbollit në Gaza. Nëpërmjet kësaj akademie, ne po mundohemi që të integrojmë femrat në shoqëri dhe t’u japim atyre personalitetin e pavarur për t’u zhvilluar si basketbolliste”, thotë Merna Ismail, njëra prej trajnerëve të akademisë. 

“Mendojmë se në Gaza ka talente të mjaftueshme të basketbollit, por vetëm duhet të punojmë. Jemi të bindur se brenda një kohe të shkurtër do të nxjerrim talentet tona me të cilat do të mburremi. Synimi ynë është që ato të zhvillohen si basketbolliste dhe të bëjnë karrierë për vete”...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)