Drejtori sportiv i Ajaxit, Sven Mislintat, është duke e ndërtuar ekipin për edicionin e ri dhe ka dashur ta transferojë Eduard Sperzyanin, 23-vjeçar. Mesfushori me tipare sulmuese është rus që u lind në Armeni.
Ai aktualisht ka kontratë me Krasnodarin rus. Gazeta holandeze “De Telegraaf” ka raportuar se bordi i drejtorëve të Ajaxit ia ka ndaluar Mislintatit transferimin e Sperzyanit për shkak të luftës që Rusia po e zhvillon në Ukrainë.
“Ajaxi duhet të jetë model për shoqërinë”, ka thënë kryetari i bordit, Pier Eringa. “Ne mbulojmë një rol më të rëndësishëm sesa shfaqja e ekipit në fushën e lojës”, është shprehur ai.
Pronar i klubit Krasnodar është miliarderi rus, Sergei Galizki.