Në Kroaci jeton një komunitet i madh shqiptarësh. Disa janë nga Kosova e disa kanë prejardhje nga qytetet shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Nga një familje shqiptare me prejardhje nga Piroku i Tetovës është Dukan Ahmeti. Koha e Dukanit vetëm sa do të vijë. Ai vlerësohet futbollist i talentuar, ndërsa tashmë është në listën e dëshirave të klubit të madh italian, Milan.
“Milani është vetëm njëri prej klubeve të interesuara. Ka edhe klube të tjera. Por të shohim. Është ende herët. Të shohim si do të rrjedhin gjërat”, ka thënë të hënën për KOHËN Fikret Ahmeti, babai i futbollistit.
Në fakt ishte sajti kroat “germanijak.hr” që shkroi për interesimin e Milanit për Ahmetin. Ahmeti është 16-vjeçar dhe luan për ekipin U19 të Istrës. Istra para tre vjetësh shiti një lojtar te Salzburgu për dy milionë euro. Vjet e shiti një lojtar te Dinamo Zagrebi për mbi dy milionë euro. Dhe tani tek Istra presin t’i fitojnë milionat nga Ahmeti, ka shkruar sajti kroat.
“Dukan Ahmeti është në radarin e shumë klubeve evropiane, ndërsa interesimin më të madh e ka shfaqur AC Milan, që është i gatshëm të ofrojë miliona për të fituar të drejtën në 16-vjeçarin. Ai luan në pjesën ofensive të mesfushës, ndërsa është një nga dy lojtarët 16-vjeçarë në ligë që janë startues për skuadrat e tyre juniore. Pos kësaj është startuar tek U17 e Kroacisë, ndërsa aktualisht është në përgatitje me seniorët e Istrës. Te të rriturit e Istrës mund të mbetet në pjesën pranverore të edicionit”, ka shkruar “germanijak.hr”.
Prindi i futbollistit të talentuar, Fikreti, ka theksuar se janë të kënaqur me zhvillimin e deritashëm.
“Çdo gjë po ecën sipas planit. Dukani po zhvillohet mirë, në klub e vlerësojnë lart, po ashtu në përfaqësuese. Luan rregullisht me juniorët e Istras e po ashtu me Kroacinë U17. Sa i takon të ardhmes nuk i dihet. Ka skuadra evropiane të interesuara, por në futboll gjërat ndryshojnë shumë shpejt. Prandaj nuk mund të them asgjë. Mund të them vetëm që situata e tij është e mirë dhe që ka potencial. Por të shohim”, ka theksuar Fikret Ahmeti. Ka treguar që familja e tij shumë dekada më parë është larguar nga Tetova dhe është vendosur në Pulë të Kroacisë.
“Unë kam lindur këtu në Kroaci. Dukani po ashtu. Por ne jemi shqiptarë. Në shtëpinë tonë flitet shqip e më pas kroatisht”, ka shtuar Fikret Ahmeti.
Arijan Ademi është futbollisti më i njohur prej shqiptarëve që janë vendosur shumë dekada më parë në qytetet kroate. Ademi është i lindur në Shibenik dhe tashmë është legjendë e Dinamo Zagrebit, klubit më të madh kroat. Ademi është mesfushor që ka vendosur shumë rekorde për Dinamon. Është kapiten aktual i skuadrës. Ka luajtur tri ndeshje për Kroacinë, ndërsa prej vitit 2014 është te Maqedonia e Veriut, ku vlerësohet prej më të rëndësishmëve.
Dukan Ahmeti vlerësohet se ka potencialin që po ashtu të bëhet emër i madh në futbollin kroat.