Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Agolli: Gjithmonë të gatshëm për Shqipërinë, jemi përgatitur për Izraelin

Pas eksperimenteve të shumta në miqësoret e fundit, Christian Panucci nuk gjeti një titullar për krahun e majtë të mbrojtjes dhe për ndeshjet e para të Ligës së Kombeve ka rikthyer Ansi Agollin.

Kapiteni i kuqezinjve doli sot në konferencën për shtyp, ku tregoi se është gjithmonë gati për të kontribuar për Shqipërinë dhe se skuadra synon fitoren ndaj Izraelit, në ndeshjen e nesërme në mbrëmje.

“Duhet të jemi gati sa herë na thërret kombëtarja. Vijmë këtu, japim ndihmën dhe eksperiencën tonë brenda dhe jashtë fushe. Bëjmë punën tonë, duke dhënë maksimumin. Nuk më duket që kam ikur ndonjëherë nga skuadra. Janë po të njëjtët djem dhe disa prurje të reja, ata duhet ta fitojnë vetë vendin. Klima është e mirë dhe kemi punuar për ndeshjen e radhës. Nuk është momenti të kujtojmë humbjet. Madje te këto humbje grupi ka nxjerrë mësime”, është shprehur Agolli, raporton TCH.

Ai më tutje ka folur për objektivat në Ligën e Kombeve.

“Është pak herët të flasim. Është një eksperiencë e re. Objektivi i parë është të bëjmë një paraqitje të mirë dhe ta fitojmë ndeshjen. Më pas duhet të shohim ecurinë, të mendojmë nga ndeshja në ndeshje. Kemi eksperiencë jo të mirë me Izraelin në Shqipëri. Atëherë ndikuan shumë faktorë. Mendoj që nuk dhamë atë që duhet, u ndëshkuam me karton të kuq, pësuam gol. Atëherë nuk dhamë atë që donim. Nesër është një ndeshje e re, diçka tjetër”, ka thënë ai.

Më tutje ai ka shtuar se, “nuk mund ta bëjmë lidhjen me eliminatoret e Europanit. T’i lëmë pas ato që kanë ndodhur në miqësore, është një fillim i ri dhe duhet të jemi gati. Madje besoj se jemi gati për Izraelin”.