Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pranuar të martën se një organ i UEFA-s kishte marrë një vendim për dënimin e tij. Pasi të martën FFK-ja mori letër nga UEFA, ku sqarohet se Agim Ademi tani nuk është i dënuar nga Konfederata Evropiane e Futbollit, i pari i futbollit kosovar pranoi se një vendim i UEFA-s është marrë për të.
Për kohë të gjatë Agim Ademi kishte mohuar që UEFA e ka dënuar atë. Madje të dielën në RTK kishte thënë se nuk ka letër të UEFA-s për dënimin e tij dhe nëse dikush e posedon atë, atëherë le ta bëjë publike. Menjëherë grupi opozitar i udhëheqjes aktuale të FFK-së nxori letrën për publik, ndërsa Agim Ademi tha më pas se ai vendim nuk ka hyrë në fuqi. Të martën megjithatë u konfirmua se vendimi ishte i plotfuqishëm dhe se ai ishte anuluar ndërkohë.
Më 20 gusht të vitit 2020, një organ i UEFA e kishte dënuar Ademin me largim nga futbolli deri më 31 dhjetor 2022, pasi ai u dënua me burg në Kosovë. Në kohën kur Ademi pritej të vuante dënimin, rasti i tij u kthye në rigjykim dhe kështu edhe UEFA e pezulloi vendimin dhe më pas e anuloi tërësisht.

Deklaratat e Agim Ademit për këtë temë kanë qenë konfuze.
Megjithatë letra e UEFA-s ka konfirmuar se vendim për dënimin e Ademit kishte dhe se ai ishte pezulluar e ishte anuluar pas disa ditësh.
“Sot FFK ka pranuar nga UEFA letrën sqaruese në të cilën letër UEFA konfirmon se ndaj meje nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë vendim ndalese. Siç mund të shihni nga kjo letër, ndaj meje nuk ka asnjë vendim dhe as ndalesë nga ndonjë organ i UEFA-s, ndërsa vendimi i cili ka qarkulluar në media nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë efekt juridik pasi që ishte anuluar nga vetë organi përkatës i UEFA-s, sepse Gjykata Supreme e Kosovës me anulimin e aktgjykimeve respektivisht kthimit të çështjes në rivendosje kishte gjetur se përfundimet e instancave të tjera gjyqësore nuk ishin të bazuara në prova dhe fakte, respektivisht kishte nxjerrë konstatime rreth pafajësisë sime në këtë çështje”, ka shkruar Agim Ademi në një postim në Facebook.
Letra e zyrtarit të UEFA-s, Angelo Rigopoulos, i është drejtuar Taulant Hodajt, që në letër është paraqitur si sekretar i përgjithshëm i FFK-së. Aty konfirmohet se vendimi fillestar i Trupit të UEFA-s për Kontroll, Etikë dhe Disiplinë (CEBD) ishte marrë më 20 gusht 2020.
“Ju informojmë se vendimi i CEDB nuk ka efekt legal pasi fillimisht ishte suspenduar e më pas edhe ishte anuluar me një vendim tjetër të CEBD, ashtu siç ishte njoftuar z. Ademi dhe Federata e Futbollit e Kosovës më 3 shtator 2020”, shkruan në letrën e UEFA-s që e ka prezantuar Agim Ademi. Letra e UEFA-s është dërguar të martën, pasi Hodaj e kishte kërkuar të hënën.
Pra UEFA ka konfirmuar se dënimi ishte shqiptuar për Agim Ademin, por ai ishte pezulluar dhe anuluar ndërkohë.
Ndryshe thotë postimi i Agim Ademit i publikuar të dielën mbrëma.
“Sot gjatë mbrëmjes është prezantuar një draft-vendim i Komisionit Disiplinor të UEFA-s, i vitit 2020, i cili kishte propozuar për të marrë një vendim ndaj meje, por që asnjëherë nuk është marrë dhe nuk ka hyrë në fuqi. Rrjedhimisht asnjëherë s’ka pas vendim dënues nga UEFA ndaj meje”, kishte shkruar Ademi të dielën mbrëma.
Ka kundërthënie mes postimeve të tij e po ashtu mes atyre që deklaron dhe ajo që ka shkruar UEFA. Por tashmë është e qartë se vendim të UEFA-s për dënimin e tij kishte dhe se ai ishte anuluar pak ditë më vonë, pasi rasti i tij u kthye në rigjykim në Kosovë.
Ndonëse vendimi i UEFA-s për dënimin e Ademit ishte në fuqi disa ditë, ai mbeti në postin e kryetarit të FFK-së. Vazhdon të jetë ende.
Zgjedhjet për kryetar të FFK-së janë caktuar për 6 prill.