Mesfushori i Dinamos së Zagrebit dhe Maqedonisë së Veriut, Arijan Ademi, nuk mundi t’i ndihmojë bashkëlojtarët në dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit për shkak të lëndimit.
Megjithatë, ai i ka përshëndetur shokët e skuadrës dhe është shprehur shumë i kënaqur me atë që është arritur së fundmi.
Maqedonia e Veriut e siguroi plejofin e Botërorit të vitit të ardhshëm pasi përfundoi e dyta në Grupin J me 18 pikë, një më shumë se Rumania që ishte e treta. Këtë grup e fitoi Gjermania me 27 pikë në 10-të ndeshje. Në duelin e fundit, Maqedonia e Veriut fitoi ndaj Islandës në Shkup me rezultatin 3:1.
“Kam festuar nga shtëpia, kam qenë tejet i lumtur në fund të ndeshjes. Jom vetëm që kam qenë i lumtur por edhe krenar. Kjo është gjë e madhe për Maqedoninë. Nuk mund ta shpjegoj gjithë këtë që na ka ndodhur. Por, nëse e sheh ekipin përfaqësues, ka një numër të madh të lojtarëve kualitativ në përbërje të cilët luajnë në klube të forta evropiane”, ka thënë të enjten Ademi.
Maqedonia e Veriut do t’i mësojë kundërshtarët e plejofit më 26 nëntor kur edhe do të tërhiqet shorti.