Sport

Ademi e luan ndeshjen e fundit me Dinamon, tifozët e përshëndesin në mënyrë të veçantë

Arijan Ademi vlerësohet prej legjendave të Dinamos së Zagrebit. Mesfushori luftarak të dielën e ka luajtur ndeshjen e fundit për gjigantin kroat. Reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut transferohet në Kinë pas shumë vjetër në kryeqendrën kroate.

Tifozët e Dinamos, Bad Blue Boys, kanë përshëndetur Ademin me një porosi të dhënë nga ish-selektori i Shqipërisë dhe legjenda kroate, i ndjeri Josip Kuzhe. “...pavarësisht të gjithave, tifozët nuk mund t’i gënjesh. Tifozët janë jashtëzakonisht të aftë për të diagnostikuar apo definuar njerëzit që janë të këtillë apo të atillë...” – Josip Kuzhe”. Postimi i BBB për Ademin është dukshëm më i gjatë.

Në stadium, tifozët e Dinamos shpalosën një fotografi të Ademit dhe shkrimin: “373 herë zemrën në terren – kapiten faleminderit për të gjitha”. Dinamo fitoi 1:0 në derbi ndaj Rijekës, ndërsa Ademi u zëvendësua në minutën e 85-të pë t’iu dhënë lamtumira e merituar.

Dinamo udhëheq me 59 pikë dhe është afër titullit të ri. “Nuk kam menduar që do të vijë kjo ditë. Kam menduar se do ta përfundojë karrierën në Dinamo. Nuk jam ende i vetëdijshëm për të gjitha. Kam pasur tremë në kët ndeshje. Ishte fitorja më e rëndësishme për ekipin tonë. Me Dinamon nuk kam fituar titull evropian dhe kjo më mbetet merak”, ka thënë Ademi. Ai është përshëndetur nga shumë personalitete të Dinamos.