Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ademi bashkë me ministrin Çeku priten nga Çeferini

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku janë pritur të mërkurën nga presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin.

Në njoftimin e FFK-së thuhet se presidentit Çeferin i është shpalosur plani 5-vjeçar i MKRS-së për ndërtimin e stadiumeve të reja dhe rinovimin e atyre ekzistues. “Ku parashihet që 4 stadiume të jenë të kategorisë së katërt, 7 stadiume të kategorisë së dytë dhe 12 stadiume lokale”, shkruan në njoftimin e FFK-së.

Siç shkruan FFK-ja, presidenti Çeferin shprehu mirënjohjen e tij për punën e bërë deri më tash dhe progresin e bërë në futbollin e Kosovës, si dhe e quajti këtë projekt shumë të mirë.

“Ai i dha përkrahje formës së projekteve të përbashkëta Ministri-FFK (UEFA) dhe Komunat si përfituese të projekteve, duke theksuar se memorandumet trepalëshe gjithmonë janë të suksesshme. Po ashtu, Çeferin na premtoi se do të gjejnë mënyra për ta mbështetur financiarisht këtë projekt, por edhe projektet e tjera që kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës në Kosovë, por edhe rritjen dhe masivizimin e futbollit. Në fund e falënderova presidentin Çeferin përzemërsisht për përkrahjen e vazhdueshme dhe për gatishmërinë e tij dhe të të gjitha organeve tjera të UEFA-s për t’i mbështetur projektet që paraqiten nga ana e FFK-së”, shkruan në njoftimin e FFK-së. Kjo nuk është hera e parë që ka pasur takime mes kryetarit Ademi dhe presidentit të UEFA-s, Çeferin.

Artikuj të ngjashëm